Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Ismaili, ka befasuar fansat me lançimin e EP-së së saj më të re, titulluar “Grua”.

Ky mini-album përmban pesë këngë të reja, një dhuratë për publikun në kuadër të 40-vjetorit të karrierës së saj të gjatë dhe të suksesshme në muzikë.

“Grua” përmban këngët “Bajat”, “Baju”, “A je ti”, “Vet kom vendos” dhe “Liria është femër”, të cilat tashmë janë publikuar dhe po pëlqehen gjerësisht nga adhuruesit e muzikës shqiptare. Lidhur me dedikimin e këtij projekti, Adelina njofton:

”Pesë këngë kushtuar atyre që filluan revolucionin e fundit në Kosovë. Grave e vajzave që guxojnë t’i thonë STOP dhunës e të braktisin burra të ligë. Për herë të parë në historinë e vendit tim, gruaja po tregon që di e mundet vetë. Ju jeni forca. Ju jeni inspirimi. Ju jeni liria. Projekti GRUA është tingulli i krenarisë për secilën nga ju.”

Ky mini-album është një dëshmi e përkushtimit dhe talentit të Adelina Ismailit, e cila edhe pas dekadash në skenë vazhdon të mbetet një nga figurat më të spikatura dhe të dashura për publikun shqiptar.