Ada Satka, një artiste shqiptare mjaft e talentuar, që karrierën e saj e ka ndërtuar në Amerikë, ka ardhur së fundmi me projektin e saj më të ri muzikor që mban titullin “Lej ti lej”, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Ada ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ku ka folur më shumë për këngën e saj të re, por jo vetëm…
Si lindi “Lej ti lej”?
Kënga lindi në një bisedë mes mikeshave të mia, që kanë qenë ndarë dhe në momentin që kanë vazhduar përpara, ata i shkuruajnë përsëri. Diçka që unë e kam kaluar dhe vetë. Nuk është se ulem në studio dhe them do bëj këtë këngë, doli thjesht ‘freestyle’. Pasi mbeti si refren, u zhvillua si këngë. Aty mendova që të flas për këtë temë, që kur vajzat duan dikë lëndëohen. Pastaj ai person e kupton dhe pendohet. Jeta vazhdon dhe kur dikush të lëndon mos u ktheni më me atë sepse nuk do të ndryshojë. T’i japim një mesazh vajzave që të duan veten.
Së shpejti do të vijë dhe albumi yt, që në shqip titullohet “Fëmija i viteve ’80”. Çfarë mund të na thuash për të?
Unë jam fëmija i viteve ’80, jam rritur me muzikë të viteve ’80, si Michael Jackson, Tina Turner. Më kanë dhënë shumë impakt në zhvillimin e muzikës sime. Më është vrarë veshi me shumë lloj muzike, por duke u rritur dhe duke jetuar në Amerikë, është dhe influenca anndej. Unë dhe kur këndoj në shqip mendoj ne anglisht. Albumi do të ketë 10 këngë të ndryshme, të cilat pothuajse janë të përfunduara. Janë zhanre të ndryshme.
Ti ke kompozuar për emra të mëdhenj si Rihanna, Jennifer Lopez, Alban Skënderaj, Dafina Zeqiri dhe Elvana Gjata. Si ka qenë të krijosh lidhje me këta artistë për të bashkëpunuar më pas me të?
Fillimi ka qenë shumë i vështirë, ka qenë shumë e vështirë të bëje lidhje me producentët, po flasim para 20 vitesh. Unë punoja në një studio në Los Angeles dhe aty njoha menaxherin tim që më lidhi me një producent të njohur që ka punuar me artistë të mëdhenj. Kur më mori si kompozitore më ftoi në studio për të kompozuar për njerëz të mëdhenj. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur, janë artistë shumë të thjeshtë dhe të respektueshëm. Vazhdoj t’i mbaj këto lidhjet. Kohët e fundit jam tërhequr pak sepse i dua disa këngë për vete.
Ti ke krijuar dhe këngën “Firefighter” me të cilën u përfaqësua Gjeorgjia në Eurovision. Si lindi kjo gjë?
Është një histori shumë e veçantë. Në vitin 2018 më merr në tel shefi dhe thonte se donte një këngë për Jennifer Lopez, për një dashuri që po prishet, po digjet dhe ajo do ta kursejë këtë. Mesa duket ajo kishte patur një situatë me burrin e saj asokohe. Dhe më erdhi mendja tek ‘zjarrfikësit’ që shpëtojnë jetë njerëzish. E kam shkruar deri në 7 të mëngjesit dhe ia kanë dërguar Jennifer Lopez-it këngën dhe ajo tha ‘I LOVE IT’. Por mbase u pajtua me burrin dhe nuk e publikoi kurrë (qesh). Edhe Rihanna më vonë e inçizoi por nuk e nxorri. Me artistët ndodh kështu, në një moment janë të gëzuar dhe pastaj duan një këngë që të ‘presin damarët’. Kënga mbeti për vite të tëra, por thoja që është e fuqishme dhe do i vijë dita. Derisa më merr Darko Dimitrov në telefon dhe i dërgova 3 këngë dhe u zgjodh pikërisht këtë.