“Top Awards” është një ndër mbështetësit kryesor të talenteve të rinj, duke i promovuar në të gjitha platformat e mundshme. Një ndër këngëtaret më të reja që i është shtuar klasifikimit kësaj jave është Klea Kasemi, në fakt një emër i njohur edhe më parë me publikut.
Klea Kasemi, e cila studion për Drejtësi, në vitet e ardhshme dëshiron që ta shohë veten një prokurore por kjo gjë nuk e ndal aspak atë të zhvillojë paralelisht pasionin për muzikë, i cili ka nisur shumë kohë më parë.
Nëse do të kthehemi pas në kohë, do të kujtojmë që Klea ka qënë një ndër pjesëmarrëset e “Nje kenge per ty”, “Gjeniu i vogel”, “Olimpiada Turke” si edhe dy herë pjesë e “The Voice of Albania”.
Klea ka bërë debutimin e saj në një skenë me “Endacake Zemre” në “Këngën Magjike” ndërsa vetëm pak ditë më parë, ajo ka publikuar “Vallzim Lamtumire”, një këngë që është futur menjëherë në klasifikimin e “Top Awards”.
Këngëtarja ka zgjedhur ta publikojë këtë këngë në ditën e të dashuruarve, pavarësisht se kënga ka të bëjë me një vallëzim dashurie por në një intervistë të dhënë për “Wake Up”, Klea ka treguar se vendosi ta bënte publike për Shen Valentin , duke sjellë një fabul ndryshe nga ato që publikohet këtë ditë.
Me muzikë të Arben Skënderi dhe tekst të Denata Toce, kjo këngë është xhiruar në qytetin e të dashuruarve, aty ku edhe vallëzimet e lamtumirës kanë një bukuri të vecantë.
Klea ka shpjeguar gjithashtu faktin e të qënurit protagoniste në klipin e saj, duke u shprehur se kush më mirë se ajo që e ka kënduar dhe ndjerë këtë këngë, mund ta interpretonte.
Ky projekt i ri i Kleas ka marrë mjaft komente pozitive në rrjetet sociale, qoftë për tekstin, muzikën, zërin apo videoklipin.
E kontaktuar nga “Top Awards”, Klea ka treguar se çdo të thotë për atë, të jetë pjesë e klasifikimit.
TA: Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e “The Top List”?
Klea: Jam mjaft e lumtur por në të njëjtën kohë edhe e vlerësuar që kënga ime më e re është bërë pjesë e “The Top List”. Puna e realizuar gjatë gjithë këtyre muajve me shumë pasion, përkushtim por dhe përgjegjësi për të sjellë tek dëgjuesit një produkt cilësor por që në fund të mbush shpirtin me ndjesi, është shpërblimi që më bën të punoj akoma edhe më shumë duke kërkuar nga vetja më të mirën. Kjo falë bashkëpunëtorëve të muzikës (Arben Skenderi) dhe tekstit(Denata Toce), të cilët me shumë mjeshtëri dhe finesë, me prekjen e tyre i dhanë jetë këtij projekti.
TA: Cilat janë planet tuaja sa i përket muzikës?
Klea: Puna vazhdon për të sjellë shumë shpejt pse jo një produkt të ri në këtë ndryshim stine. Ndoshta diçka që i përshatet kohës por edhe stilit tim. Duke treguar kujdes që projektet e mia të mbajnë një firmë origjinaliteti dhe pasioni që shtohet dita-ditës.