Kjo javë ka ardhur paksa e qetë sa i përket ndryshimeve në pozicion. 6 nga 10 vendet e para kanë mbetur të njëjta si edhe javën e kaluar, duke ruajtur të njëjtat pozicione.
Kreu vazhdon t’i përkasë projektit muzikor “Ni Milion Rrugë” të Unikkatil, i cili u kthye në vendin e parë javën e kaluar, pas disa javësh mungesë. Duhet theksuar gjithashtu se kjo këngë u shpall hiti i kësaj vere në sondazhin e organizuar në faqen zyrtare të “Top Awards”.
Vendi i dytë dhe i tretë vazhdojnë të jenë të zëna nga reperja më e re në tregun muzikor shqiptar, Tayna. “Columbiana”, bashkëpunimi i saj me Don Phenom mban vendin e dytë ndërsa “Shqipe” vazhdon të jetë në vendin e tretë.
Një sukses së fundmi ka korrur edhe projekti më i ri i “Mozzik”, “Pa Pa”, i cili edhe pse ka pak javë që ka dalë në treg, për dy javë rresht ai vazhdon të renditet në katërshen e këngëve më të votuara të listës.
Edhe pse dy javët e fundit pozicionimi i “Mike” mbetet i njëjtë, krahasuar me javën e mëparëshme, kjo këngë e Elvana Gjatës, Ledri Vulës dhe John Shahut ka rënë në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 5-të.
Nga ana tjetër Butrint Imeri dhe projekti i tij “Alea” ka tre javë rresht që mban vendin e 6-të në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Se cili do të jetë pozicionimi i këtyre projekteve muzikore në javët në vazhdim, kjo mbetet për t’u parë por ndërkohë që kësaj vere po i vjen fundi, artistët vendosin të marrin pak pushim sa i përket projekteve të reja muzikore.