Ndërkohë që ka vazhduar së publikuari muzikë të bukur, për publikun shqiptar Offchestra do të mbahet mend për projektin e famshëm muzikor “A bon”, një këngë që edhe pse e publikuar rreth tre vite më parë, ende këndohet nga të gjithë.

Por këtë verë, grupi i famshëm ka vendosur të vijë me një këngë që ka ngritur akoma më shumë temperaturat e kësaj vere të nxehtë. “Pa jelek”, titullohet prurja më e re e Offchestra-s, e cila është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”.

Ky projekti i ri i grupit, i cili paraljamëron edhe albumin e tij që pritet të publikohet në muajin shtator, i dedikohet plazhit dhe pikërisht bregdetit shqiptar. I ftuar në programin “Select”, vokalisti i grupit ka shpjeguar kuptimin e këtij titulli, ku “pa jelek” nënkupton “topless”.

Sezgini ka zbuluar gjithashtu disa detaje lidhur me albumin e ri të grupit, për të cilin ende nuk është vendosur një titull. Artisti ka shpjeguar se ky album do të përmbajë 8 deri në 10 këngë, ku do të jenë të gjitha këngë të padëgjuara më parë por sipas tij, një mundësi është që kënga e suksesshme “A bon”, të vijë në këtë album në një version ndryshe.