Trimi, reperi nga Prishtina, është i vendosur të ketë një rol të rëndësishëm në muzikën shqiptare dhe këtë e tregojnë projektet e njëpasnjëshme që ai publikon. Vetëm pak ditë më parë, ai ka nxjerrë në treg projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “La La”.

Falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut shqiptar, kjo këngë është futur menjëherë në klasifikimin e 100 këngëve më ë bukura të muzikës moderne shqiptare. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, këngëtari ka zbuluar më shumë për këngën e re si dhe për planet e tij në të ardhmen.

TA: Prej sa kohësh je pjesë e tregut muzikor shqiptar?

Trimi: Pjesë e tregut profesional jam që prej vitit 2016-të por me muzika jam marr që kur isha i vogël.

TA: Si mendon, është e vështirë t’ja dalësh në ditët e sotme në fushën e muzikës?

Trimi: Eshtë e vështirë por përderisa e do një gjë dhe e bën me vullnet të plotë,  e kalon me lehtësi.

TA: Sa kohë të është dashur të punosh për projektin “La La”?

Trimi: “La La” është një projekt që e kam pasur thuajse gati por rreth një muaj ka përfunduar komplet i shoqëruar me video.

TA: Pse ke zgjedhur këtë titull? Për çfarë flet kënga?

Trimi: Kam zgjedhur këtë titull sepse është unik dhe interesant. Gjithashtu është i thjeshtë që njerëzit ta mbajnë mend. Sa i përket përmbajtjes së këngës, ajo flet për një vajzë me të cilën jemi të dashuruar por kemi herë pas here edhe probleme.

TA: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?

Trimi: Instrumentalin e ka punuar RZON ndërsa melodinë dhe tekstin, i bëj gjithmonë vetë.

TA: Cila ka qënë kritika dhe komplimenti më i bukur për “La La”?

Trimi: Kritika i marr të gjitha si pozitive, kështu që nuk kam ndonjë që më rri në mendje ndërsa komplimenti ka qënë se ky projekt është ndryshe nga projektet e mëparëshme që unë kam bërë.

TA: Ke ndonjë artist nga i cili frymëzohesh?

Trimi: Të them të drejtën nuk është se futem dhe të inspirohem nga një artist por dëgjoj shumë muzikë të ndryshme nga ajo që bëj dhe ajo më jep ide të ndryshme për atë që bëj.

TA: Çdo të thotë për ty të jesh pjesë e “The Top List”?

Trimi: Të jem pjesë e “The Top List” do të thotë të punoj shumë dhe të jem në top të listës.

TA: Cilat janë planet për vitin 2019-të?

Trimi: Planet janë të punoj shumë fort dhe për herë të parë po e tregoj se në janar do të publikoj projektin e ardhshëm.