Lumi B dhe Dhurata Dora bashkuan fuqitë këtë verë duke sjellë një projekt muzikor, i cili duket se ka ringjallur kujtime tek fansat e dyshes. Bëhet fjalë për “remake” të këngës “Simpatia” e kënduar më parë nga Edona Lalloshi.

E publikuar rreth dy javë më parë, “Simpatia” ka mundur të rrëmbejë shumë vota të publikut, ku falë tyre ajo është ngjitur me 41 pozicione këtë javë në “The Top List”, duke u renditur në vendin e 6-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në klasifikim.

Nga ana tjetër një super sukses ka korrur edhe projekti më i ri i Vitmar Bashës, i cili përveç muzikës, artisti duket se kësaj radhe ka goditur në shenjë me videon muzikore të këngës së tij më të re, e cila ka marrë vlerësime maksmale.

Ky projekt muzikor, i titulluar “E imja dhe e jotja”, kishte rreth 2 vite që ishte krijuar por duket se më në fund Vitmari vendosi ta publikonte atë vetëm 4 javë më parë. Kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards” rreth 2 javë më parë dhe gjatë kësaj jave, ajo ka mundur të ngjitet me 24 pozicione, duke u renditur në vendin e 13-të.

Duket se suksesi i këtyre dy projekteve muzikore ka bërë që kënga e Blunt & Real  “Suzi” si edhe e Estto “Për çdo nate” të humbasin shumë pozicione në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. “Suzi” gjatë kësaj jave ka humbur plot 43 pozicione, duke u renditur në vendin e 48-të. Ndërkohë që javën e kaluar “Per cdo nate” renditej në vendin e 23-të, gjatë kësaj jave, ajo ka humbur 26 pozicione, duke u renditur në vendin e 49-të.