Gjatë stinës së verës të gjithë artistët publikojnë projekte të reja muzikore, duke “luftuar” për këngën që do të shpallet hiti i kësaj vere.

Ndërkohë që janë këngët ritmike ato që marrin votat maksimale, kjo verë vjen ndryshe pasi artisti më i ri, Yon Idy, ka vendosur të sjellë një këngë për të gjithë interesantët e kësaj vere.

“Gentle” titullohet kjo hyrje e re në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”, e cila është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar. Një zë i ëmbël që bën vërtet diferencën krahasuar me hitet që publikohen gjatë verës. I kontaktuar nga “Top Awards”, Yon ka zuluar më shumë për këtë projekt muzikor.

TA: Për çfarë flet kënga, si lindi ideja?

Yon: Ideja kryesore e tekstit pasqyron ndjenjat e mia pas përfundimit të një lidhjeje. Shpesh herë tentoj që pas një periudhe të vështirë t’i fokusoj mendimet në eksperiencat pozitive, gjë që pasqyrohet edhe te ndjenjat e mia. Kjo këngë reflekton pikërisht këtë urëkalim, nga zbehja e mosmarrëveshjeve dhe grindjeve, drejt ndjenjave të këndshme dhe fisnike. Më konkretisht, është rasti pasi takohesh me personin me të cilin ke qenë në lidhje dhe shfaqet shpresa se ndoshta çdo gjë do kishte mundur të funksionojë si duhet, ne rast se provon edhe një herë. Isha po ne atë situatë ditën kur e shkrova tekstin. Melodinë e këngës e kisha gati dhe prisja çastin e duhur për t’ia shkruar tekstin te cilin mendoja se mund t’i shkojë këngës dhe ajo që ndjeva mendoj se u lidh mjaft mirë edhe me idenë e këngës në tërësi.

TA: Cilës rrymë muzikore i përket kënga Gentle?

Yon: Sa i përket stilit të këngës, ishte pak e vështirë të definohet se në cilin grupim të stileve zë vend kënga “Gentle”, pasi ka elemente të rrymave të ndryshme të muzikës. Është kitara akustike si bazë, e kombinuar me bateritë me frymë te hip-hopit të viteve ‘90, të cilave u bashkëngjitet edhe vokali kryesor në stilin pop apo pop-rock, janë dhe vokalet përcjellëse në refren të frymëzuar nga muzika soul e viteve ‘50. Sidoqoftë, mendoj se kjo ndërthurje e bën këngën të reflektojë më shumë si indie-pop.

TA: Çdo të thotë për ty të jesh në “The Top List”?

Yon: Kur e pashë se kënga “Gentle” kishte hyrë në “The Top List” të “Top Awards”, madje që në fillim kishte zënë vendin e 12-të, kjo ishte një surprizë shumë e këndshme për mua. Pas gjithë asaj pune dhe marrjes së vendimit që te krijoj një këngë në një stil që nuk është dhe aq i përhapur në masë, është ndjenjë e bukur kur shoh se reagimi i parë është kaq i mirë. Më vjen mirë që kënga është duke u pranuar nga publiku me kaq entuziazëm. Më nxit dhe më motivon të punoj edhe më shumë në të ardhmen.