Një djalë shumë romanik i është shtuar tregut muzikor shqiptar dhe sigurisht publiku femëror është shumë me fat sa i përket këtij fakti. Yon Idy ka prezantuar prurjen e tij më të re muzikore, pas “Gentle”, falë së cilës këngëtari u bë pjesë e “The Top List” për herë të parë.

“Walking the Line of Love” titullohet kënga më e re e Yon, e cila përveç një muzike të dashur dhe një tekst special, diçka tjetër fshihet pas kësaj kënge. Në një intervistë për “Top Awards” këngëtari ka shpjeguar se kjo këngë i dedikohet njeriut me të cilin/cilën lidhja përfundon në martesë. Kështu që të gjithë ju që keni gjetur personin e zemrës, duhet patjetër ta dëgjoni këtë projekt muzikor dhe t’i dedikoni këto fjalë të ëmbla.

Yon është shprehur gjithashtu se kjo këngë është një testament për lidhjen për të cilën ai është në kërkim, pra për gruan e tij të ardhshme, duke lënë kështu të nënkuptohet se këngëtari është “single”, kështu që fansat e tij janë në kohë.

TA:Kemi ardhur shume romantik në projektin tuaj më të fundit muzikor, ka ndonjë person të veçantë që ja keni dedikuar këtë këngë?

Yon: Eshtë e vërtetë. Në fakt, mendoj se ‘Walking the Line of Love’ mund të jetë kënga më sentimentale që kam kompozuar deri tani. Zakonisht kur kompozoj këngë, së pari gjej melodinë e këngës dhe të zërit, më pas shkruaj tekstin. Kështu që, në këtë rast, pasi kisha melodinë dhe e degjova, e kisha të sigurt se edhe teksti duhej të ishte po në atë nivel emocional siç është dhe melodia e saj. Ideja përfundimtare tek e cila arrita ishte që të shkruaj për një lidhje perfekte. Por, që në fazat e para të shkrimit të tekstit kuptova se po shkruaja për çdo gjë që unë besoj edhe shumica e njerëzve e kërkojne prej lidhjes të fundit në jetën e tyre, thënë ndryshe, nga njeriu me të cilin apo të cilën mund dhe të martohet, po shpeshherë dështojmë në kërkimin e saj. Për këtë shkak, tekstin vazhdova ta shkruaj si një testament për një lidhjë që po kërkoj, ndoshta dhe për gruan time në të ardhmen. Kështu që, këngën besoj se ia kam dedikuar dikujt, megjithëse ende nuk e di kujt.

TA: Keni vendosur të këndoni sërish në anglisht, pse kjo zgjedhje?

Yon: Si kantautor ende relativisht i ri në skenën e muzikës, qëllimi kryesor është që të mund të më dëgjoje publik sa më i gjërë dhe mendoj se gjuha angleze është mënyra më e mirë për ta arritur këtë qëllim. Kam disa këngë dhe në gjuhën shqipe, të cilat janë gati për t’u regjistruar, megjithëse ende nuk jam i vendosur se kur do t’i përfundoj dhe t’i publikoj.

TA: Si e ka pritur publiku “Walking the Line of Love”? Keni patur ndonjë kritikë?

Yon: Deri tani, reagimi ka qënë mjaft pozitiv. Shumica e njerëzve që kanë arritur ta dëgjojnë “Walking the Line of Love” kanë patur mendim mjaft pozitiv për këngën. Fakti që kënga ka arritur të jetë në “The Top List” me tregon se publikut me të vërtetë i pëlqen kënga.

TA: Çdo të thotë për ju të jeni pjesë e “The Top List”?

Yon: Besoj se pjesëmarrja në “The Top List” është mënyra më e mirë për t’u shpërblyer si kantautor dhe tani mbetet vetëm të pritet reagimi i publikut për të kuptuar se sa mund t’i pëlqejë kënga.

TA: Keni ndërmend të këndoni ndonjë rryme tjeter muzikore apo do i qëndroni besnikë romanticitetit?

Yon: Unë mendoj që romanticiteti mund të shfaqet në shumë rryma muzikore, nëse jo në të gjitha. Mund të them se si këngë, “Walking the Line of Love” është mjaft më ndryshe nga ajo që kam publikuar dëri tani. Romanticiteti ndoshta ndihet më shumë në tekstin e këngëve dhe është e vërtetë se shumica e këngëve që kompozoj sillen rreth kësaj teme. E bëj sepse besoj se është gjëja që më shumë ngjall emocion tek unë dhe në të njëjtën kohë këngët e mia fitojnë më shumë në sinqeritetin e tyre. Sidoqofte, ka mjaft këngë ku shkruaj dhe për raste të ndryshme, të cilat besoj se do i publikoj në të ardhmen.

TA: Planet e tua afatshkurtër dhe ndonjë afatgjatë?

Yon: Unë momentalisht jam duke regjistruar këngën time të radhës, të cilën besoj se do e publikoj në javët e ardhshme, ndërsa plani afatgjatë është që të mos ndalem, të kompozoj dhe publikoj sa më shumë këngë.