Elvana Gjata ka vendosur të surprizojë publikun, pikërisht në ditën e saj të lindjes, duke prezantuar projektin më të ri muzikor.

E kthyer tashmë në një traditë, këngëtarja pëlqen që në ditën e lindjes së saj të lërë gjurmë, kujtojmë që në shkurtin e vitit 2018-të, ajo publikoi minilabumin “3”.

“Thirr” mban titullin balada më e re e artistës, për të cilën ka bashkëpunuar me producentin e njohur Darko Dimitrov dhe flet për një histori dashurie të njëanshme.

Publiku e ka mirëpritur projektin e këngëtares dhe këtë e vërteton më së miri fakti që “Thirr” ka rrëmbyer kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare dhe kjo falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut.

Hera e fundit që artistja ka qënë e renditur në vendin e parë ishte në korrikun e 2019-ës me këngën “Fustani”, bashkëpunimi i saj me Capital T, i cili e mbajti kreun për dy javë rresht.

Rikthimi i Elvanës në muzikë është pas thuajse një viti, pasi kënga e saj e fundit ishte publikuar në dhjetorin e vitit 2019-të dhe bëhet fjalë për këngën “Me Tana”.