Vetëm pak ditë më parë, këngëtarja e njohur tashmë për publikun, Diona Fona, ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, i cili është një bashkëpunim. “Ti je” mban titullin kjo prurje e re muzikore, të cilën këngëtarja e ka sjellë së bashku me EAZ, një reper i cili është bërë pjesë e “The Top List” për herë të parë.

Kjo këngë është mirëpritur nga fansat e dyshes dhe këtë e tregon më së miri hyrja e menjëherëshme e saj në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Ndërkohë që Diona po shijon suksesin e bashkëpunimit të saj të parë në karrierën e saj muzikore, fansat e saj na kanë surprizuar pasi e kanë shndërruar artisten në një prej këngëtareve që është ngjitur me më shumë pozicione në listë dhe kjo falë këngës “Bella Vita”. Falë votave të shumta, “Bella Vita”, e cila ka plot 21 javë në klasifikim, është ngjitur këtë javë me 92 pozicione, duke u futur në “Top 5”.

Ky projekt muzikor, në të cilin Diona ka ardhur mjaft energjike, ka patur një debutim të mirë në listë, nëse do të kthehemi pas në kohë, duke u pozicionuar në vendin e 32-të.