“Nata është e jonë” është projekti muzikor, i cili riktheu në muzikë Armend Fejzullahun, ish-vokalistin e grupit Votra, i cili ka vendosur të vijojë karrierën i vetëm.

Edhe pse i pandarë nga muzika, pasi ai ende performon “live” nëpër klube nate të ndryshme, Armendit iu desh kohë që të vendoste për t’u kthyer në tregun e muzikës pas një kohë të gjatë mungese. I kontaktuar nga “Top Awards”, Armendi ka folur për projektin e tij “Nata është e jonë” si edhe për planet që ka në të ardhmen.

“Nata është e jonë” për këtë javë renditet në vendin e 83-të, duke u ngjitur me 14 pozicione nga java e kaluar.

Top Awards: Si lindi ideja për këtë projekt muzikor?

Armend Fejzullahu: Kisha kaq kohë që nuk kisha inçizuar material të ri muzikor, në fakt që nga koha e Votrës. Ide të ndryshme për këngë më ziheshin nëpër kokë, por nuk arrija t’a gjeja momentin për t’i inçizuar këngët dhe kompletuar tekstet, deri kur u bashkuam me Albert Hysenin, me të cilin edhe jam i angazhuar për mbrëmjet “live” në një klub natë në Londër dhe me ndihmën e tij arrita t’i përfundoj dy këngët e para “Dua” dhe tani më të fundit “Nata është e jonë”. Këto janë produksion dhe inçizim në studion e Albertit.

Top Awards: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin?

Armend Fejzullahu: Teksti dhe muzika janë produkt i imi, kurse për videoklipin “Nata është e jonë” u përkujdes Sead Brava me produksionin e “City Star Production”, që është kompania e Seadit, ku dhe shfrytëzoj rastin ta falenderoj e përshëndes për realizim dhe profesionalitet.

TA: Kush është Zana?

Armend: Zana është një vajzë e re shqiptare e miqëve tanë familjar, Lulëzim dhe Suzana Biblekaj. Arsye pse zgjodha Zanën për videoklip, ishte thjesht bukuria e saj rinore.

TA: Ka qënë i vështirë rikthimi në tregun muzikor? Si ju duket muzika? Ka ndryshuar nga koha kur ju ishit në majat e suksesit?

Armend: Muzika si çdo gjë tjetër ka evolvuar andaj dhe ka ndryshuar që nga koha e Votrës. Kurse kthimi im nuk ishte aq i vështirë sa ishte i vonuar sepse, jo pse them unë, por njerëzit e kanë dëgjuar me ëndje repertorin e Votrës, sipas komenteve që akoma i marr nga publiku shqiptar.

TA: Ju mungon Votra? A ka ndonjë mundësi ribashkimi?

Armend: Të them që Votra s’më mungon do ishte gënjeshtër e vetes. Sepse ishte hapi i parë muzikor, fituam çmimin e parë në “Top Fest 2004” si Rock Band më i mirë me “Kur të kam pranë” dhe kalova çaste të veçanta me anëtarët dhe shokët e mi Lulin dhe Amirin, të cilët i përshëndes. Rikthimi? Disa gjëra është më mirë të mbeten aty ku mbetën… por asnjeherë nuk them “Jo” përfundimisht.

TA: Me çfarë merret Armendi momentalisht?

Armend: Momentalisht realizimi komplet i albumit “solo”, është prioritet me të cilin merrem dhe janë disa plane tjera….

TA: Do të kemi ndonjë projekt tjetër këtë verë?

Armend: Po, siç edhe e kam lartpërmendur, albumi im i parë “solo” si Armend Fejzullahu është qëllimi kryesor dhe rikthimi im në skenën muzikore përmes mbrëmjeve “live”, duke promovuar këngët e mia tani verës në Kosovë, shpresoj edhe në Shqipëri…

TA: Në një intervistë të dhënë jeni shprehur se po punoni për një album të ri, si po ecën ai? Kur do mund ta kenë fansat në dorë?

Armend: Albumi dhe realizimi janë proces që është më lehtë ta mendosh, e më vështirë ta realizosh, por tani për tani gjithçka po ecën mirë nga që “bateritë” e kreativitetit janë flakë të ndezura.

TA: Çdo të thotë për ju të jeni pjesë e “The Top List”?

Armend: Të jem pjesë e “The Top List” është një nder i madh për mua dhe falenderoj “Top Aëards” dhe fansat që më votojnë. Mos i ndalni gishtat, votoni...