Talentet e reja në muzikë vazhdon t’i shtohen klasifikimit zyrtar të “Top Awards” dhe këtë javë është pikërisht Eden, e cila i është bashkangjitur listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
“Running From Myself” titullohet kjo prurje e re e Eden, e cila ka marrë sugjerimet e mjaftueshme, për t’u bërë pjesë e “The Top List”.
Po kush është Eden?
Eden Baja, e cila në art ka zgjedhur të njihet thjesht me emrin Eden, është një maturante në shkollën “Qemal Stafa” që jeton në Tiranë.
E kontaktuar nga “Top Awards”, Eden ka rrëfyer se ka kënduar që në moshë të vogël por këtë cilësi të saj, të tjerët e kanë mësuar kohët e fundit.
“Sado klishe të duket, nuk kam një zhanër muzike të preferuar ose të vetme. Kam qënë gjithmonë e mendimit se një këngë nëse është e bukur, është thjesht e tillë, pavarësisht kategorisë së zhanerit të cilit i përket”, shprehet Eden.
TA: A është ky projekti juaj i parë muzikore? Nëse po, cfarë të shtyu që vendose ta bësh debutimin tënd pikërisht tani?
Eden: Po, ky është projekti im i parë muzikor. Mund të them me siguri se ishte momenti i duhur, kryesisht nga të gjithë faktorët e personat, të cilet ndihmuan pafund në realizimin e këtij projekti.
TA: A mendon se tregu muzikor në të cilin gjendemi momentalisht është i vështirë për artistët e rinj?
Eden: Mendoj se tregu muzikor është i vështirë për artistët e rinj tani më shumë së kurrë kryesisht nga presioni për t’iu përshtatur opinioneve të shoqërisë.
TA: Muzikën e sheh një profesion të së ardhmes apo do investosh në një tjetër fushë?
Eden: Drejtimi në të cilin dëshiroj të vazhdoj për momentin është fusha e arkitekturës, interior design-i në vecanti por muzika ka qënë gjithmonë më shumë se thjesht një hobi për mua prandaj edhe nuk mund të them me siguri se nuk shoh një të ardhme në fushën e saj.
TA: Të krahasojnë me Billie Eilish, cfarë mendimi ke për këtë krahasim të publikut? Ti e dëgjon muzikën e saj?
Eden: Krahasimi me Billie-n ka qënë gjithmonë një kompliment që e kam vlerësuar maksimalisht për shkak se jam fanse e madhe e muzikës së saj. Pavarësisht kësaj mendoj se si ngjashmëritë ashtu kemi edhe cilësitë që diferencojnë stilet tona, stile që në të njëjtën kohe janë tepër të veçanta edhe individualisht.
TA: Cdo të thotë për ty të jesh pjesë e “The Top List”?
Eden: Të jem pjesë e “The Top List” do të thotë realisht shumë për mua. Mbi të gjitha tregon se njerëzit lidhen shpirtërisht me këngën dhe e pëlqejnë atë si një e tërë, gjë e cila më kënaq tej masë dhe e vlerësoj shumë.