Yll Limani ka sjellë për publikun këngën e tij më të re. “Prite” është projekti i tij më i fundit që vjen këtë javë në “The Top List”, por jo vetëm kaq… merr menjëherë kreun e listës.
“Prite”, është një baladë moderne e mbështjellë me ndjenjë, reflektim dhe dhimbje të heshtur. Me tekst dhe muzikë të shkruar nga vetë Ylli, dhe nën produksionin e Fatjon Miftarit, “Prite” hyn në listën e atyre këngëve që nuk i dëgjon vetëm me vesh, por edhe me zemër.
Ajo që e bën “Prite” të veçantë nuk është kompleksiteti muzikor, përkundrazi. Është thjeshtësia që e bën të fuqishme.
Çdokush që ka përjetuar një ndarje të dhimbshme, një ndjenjë të paqartë, apo një pritje të pambarimtë, e gjen veten në këtë këngë. Me stilin e tij karakteristik dhe emocionin që përcjell në çdo varg, Ylli sjell një material që pritet të lërë gjurmë te publiku.
“Prite” padyshim që rrëmbeu zemrat e audiencës, duke u votuar maksimalisht dhe duke u vendosur kështu në krye. Yll Limani me “Prite” merr vendin e parë për të 43-tën herë gjatë këtyre 511 javëve.