Jo thjesht një album, por shumë më shumë se kaq. Po flasim për Yll Limanin dhe projektin e tij të fundit artistik “TSN”.

“TSN” në një sfond vjollcë ishte ngacmimi i parë i këngëtarit disa javë më parë pasi fshiu të gjitha postimet në rrjetet sociale. Ylli njoftoi se një album po vinte, por pa e zbuluar ende kuptimin e shkronjave. Më pas erdhi kënga “Era”, e shkëputur nga albumi.

“TSN” është akronimi i “Thirrëm Sot ose Nesër” ku janë përfshirë 16 këngë të cilat sipas Yll Limanit janë kaosi emocional i dy viteve të fundit. Për historitë e papërfunduara, për pritjen, shpresën dhe lamtumirën.

Ylli ka thënë se ky album është shprehje e gjendjes së tij emocionale, të formësuar brenda vitesh. Ka pritje, mall, zhgënjim, shpresë, dashni… gjithë çfarë ka dashur t’i thotë me zë të lartë në jetë e nuk ka mundur, i ka thënë këtu, në këtë album. 12 këngë të këtij albumi hyjnë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”; “Taxi”, “Po nisna sonte”, “Kthem”, “Mjegulla”, “F – Stupid”, “Kisha dashtë me t’fal”, “No.1”, “Rruga”, “Me ta ni”, “O sa mirë pa ty”, “Ajr”.

Vetë këngëtari ka zbuluar se albumi ka nisur në fillim të vitit 2024, gjatë një sesioni krijues në Brezovicë, në një periudhë reflektimi dhe nostalgjie. Ai u rikthye te pop-rock-u i vjetër, pop-i dhe folk-u shqiptar, duke u frymëzuar nga koha kur gjithçka ishte më e thjeshtë dhe më e pastër emocionalisht.

Dy vitet e fundit, Limani i përshkruan si ndër më sfidueset e jetës së tij, ndërsa albumi përmbledh një kaos të plotë emocional të shndërruar në 16 këngë, ku ndërthuren pritja, malli, zhgënjimi, shpresa dhe dashuria. Ai ka pranuar se gjithçka që s’ka mundur ta thotë me zë në jetë, e ka thënë përmes këtij albumi.

Performancat në Sunny Hill Festival, koncertet live në dhjetor 2024, DokuFest dhe Shkup i kanë dhënë bindjen se kjo muzikë funksionon jo vetëm në studio, por edhe përballë turmave të mëdha. Kënga “Rruga” mbetet pika më e thellë emocionale e albumit, një udhëtim në frikërat, plagët e vjetra dhe kërkimin e qetësisë së brendshme.