Ishte muaji gusht kur Vedat Ademi dhe J.Gashi sollën bashkëpunimin e tyre të parë , “Thirrëm Dashuri”, i cili rezultoi një sukes në tregun muzikor shqiptar. Me këtë projekt, Vedati erdhi paksa ndryshe, më ritmik, duke lënë pas baladat me të cilat jemi mësuar ta dëgjojmë zakonisht.
Për 13 javë rresht ky bashkëpunim është bërë pjesë e “The Top List”, i cili ka mundur t’i rezistojë prurjeve të reja muzikore edhe pse ka rreth 4 muaj që ka dalë në treg. Gjatë kësaj jave “Thirrëm Dashuri” është ngjitur me 3 pozicione, duke u renditur në vendin e dytë.
Ndërsa vetëm pak ditë më parë, Vedati ka bashkuar fuqitë me një tjetër artist, Vullnet Ibrahimin për të sjellë projektin e tij të radhës të titulluar “Me mire me zemer”. Ndërkohë që ai po vazhdon të korrë sukses me “Thirrëm Dashuri”, kënga e tij më e fundit nuk është futur në Top Listë. Çfarë do të ndodhë me prurjen më të re të artistit, a do të jetë ajo në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do e marrim ditën e dielë në programin “The Top List”, Top Awards, i cili transmetohet në orën 10:30 në ekranin e Top Channel.