“Pare si Thaçi Pare si Rama” është projekti i fundit muzikor i dyshes së talentuar Blunt dhe Real. Por ndërkohë që kjo këngë ka rezultuar tepër e pëlqyer për publikun, një sukses të jashtëzakonshëm po korr dhe projekti i tyre i mëparshëm muzikor “Suzi”.
Gjatë kësaj jave, kjo këngë ka mundur të ngjitet me 33 pozicione, duke u shndërruar në këngën që është ngjitur me më shumë pozicione . “Suzi”, e cila ka 14 javë që është pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, për këtë javë qëndron në vendin e 14-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për klasifikimin, i cili përbëhet nga 50 këngë. Ndërsa kënga dedikuar politikanëve Thaçi dhe Rama janë ngjitur me 5 pozicione këtë javë , duke u pozicionuar në vendin e 9-të.
Dyshja e talentuar, Blunt dhe Real priten të ngjiten mbrëmjen e nesërme në skenën e finales së “The Voice Albania” duke u ribashkuar ekskluzivisht me BimBimma për të risjellë në jetë grupin urbaNRoots, i cili solli ndryshimin e Hip Hop-it në Shqipëri.
Në super finalen e “The Voice” do të performojnë gjithashtu edhe artistët me famë botërore Mohombi dhe Stanaj, si dhe për herë të parë Besa dhe Elinel do të lançojnë bashkëpunimin e tyre të titulluar “Mos m’le me ra”.