Sahati, artistja me origjinë shqiptare e cila prej vitesh jeton në Toronto, Kanada, ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor me titull “Për Kon”. Kënga e re, e publikuar së fundmi dhe që ka hyrë këtë javë në “The Top List”, sjell një kombinim të ndjeshmërisë së thellë artistike dhe eksperimentimit muzikor që karakterizon stilin e Sahatit.
Me “Për Kon”, ajo jo vetëm që pasuron repertorin e saj, por gjithashtu forcon pozicionin në skenën e muzikës alternative shqiptare dhe ndërkombëtare. E njohur për talentin dhe energjinë e saj unike, Sahati ka ndërtuar një karrierë të pasur duke performuar në një sërë skenash prestigjioze që në moshë të re.
Ajo ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme ndërkombëtare si Sunny Hill Festival në Kosovë dhe Vancouver Mural Festival në Kanada, duke dëshmuar potencialin e saj artistik përtej kufijve. Sahati ka bërë dhjetëra paraqitje në festivale në Evropë dhe Kanada, duke përfshirë hapjen për Dua Lipa dhe Miley Cyrus.
Pa kufizime muzikore në procesin e saj, muzika e Sahatit shkrihet dhe alternohet mes new-wave dhe indie pop, shqip dhe anglisht. Sahati është përkufizimi i një artisteje shumëdimensionale dhe me suksesin gjithnjë e në rritje.