Shpat Deda është rikthyer në tregun muzikor shqiptar me projektin e tij më të ri të titulluar “Ninullë”. Në një intervistë të dhënë për programin “E Diell” në Top Channel, artisti ka folur për karrierën e tij muzikore por edhe për karrierën e tij si producent.
Shpat Deda ka shpjeguar se “Ninullë” është një dedikim për gjyshen e tij. Ai është shprehur se ndërkohë që gjyshja, e cila nuk jeton më, i ka kënduar atij ninulla, tashmë është vetë artisti që i ka kënduar gjyshes një ninullë speciale.
“Pavarësisht se nuk jeton më, ajo ka patur një influencë të madhe tek mua dhe tek të gjithë nipërit edhe mbesat e saj”, ka treguar për drejtuesin e programit Adi Krasta, këngëtari 31-vjeçar.
Kjo këngë, e cila është publikuar më 20 janar, është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” këtë javë, duke u pozicionuar në vendin e 45-të.
Por përveçse një këngëtar i suksesshëm, Shpati është edhe një producent i talentuar. Së fundmi ai është bërë producenti i një filmi me titull “Home”, i cili është i nominuar në çmimet “BAFTA 2017” në kategorinë “British Short Film”. Deda ka shtuar se ky film, me regji të Daniel Mulloy, ka qënë nominuar gjithashtu edhe në “European Film Awards”.