E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë këngëtarja e njohur Gigliola Haveriku. Ajo ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me jetën e saj, karrierën muzikore, mëmësinë dhe sigurisht ka treguar më shumë për planet dhe projektet që do të sjellë shumë shpejt.

Në fillim të intervistës Davidi e pyeti në lidhje me veçantinë e emrit të saj dhe kuptimin e tij, për të cilin ajo tregoi se ia kishte vendosur babai i saj dhe shtoi se:

Shpjegimi i emrit tim nuk është edhe aq i vështirë sepse thjesht kam lindur në Itali dhe emri im shkruhet italisht. Babi im u frymëzua gjithashtu nga këngëtarja e njohur Gigliola Cinquetti, e cila ishte vetëm 18 vjeç kur fitoi Sanremon. 

Duke qenë se edhe emri i saj është frymëzuar nga krijimtaria italiane, a e gjen veten sot Gigliola të lidhur me muzikën italiane?

Padyshim që po sepse unë kam lindur dhe kam jetuar shumë vite atje. Mësimet e para unë i kam marrë me muzikën italiane. Unë jam brezi i kasetave dhe kaseta ime e parë ka qenë Lucio Battisti, një këngëtar shumë i njohur që ndërroi jetë në moshë shumë të re, por që ka lënë një pasuri shumë të madhe pas. 

Nga psikologjia klinike te muzika live, si ka qenë për të kjo lëvizje nga një profesion që flet për mendjen në një pasion që flet për shpirtin dhe që e ‘prek’ atë?

Unë kam qenë gjithmonë në mes të këtyre dy profesioneve. Unë jam diplomuar para 10 viteve dhe studimet i përfundova për një degë që unë e kisha pasion të cilin ende e kam. Më pas rrugës u ndërthur edhe ky pasioni tjetër kur mora pjesë në The Voice of Albania dhe më eci le të themi. Nga qejf ai u bë profesion primar. Gjithmonë kam qenë lë njërën merr tjetrën, por unë besoj dhe mendoj që do të vijë sërish momenti që unë do të kthehem prapë tek psikologjia. Kjo nuk do të thotë që unë e kam lënë, por do të jem gjatë gjithë kohës. 

Ajo shtoi se:

Për momentin po e shijoj këtë dallgën muzikore. Mendoj që për të gjithë njerëzit është një terapi muzika.

Për të krijuar projekte të reja muzikore, si arrin Gigliola që të menaxhojë gjithçka dhe cili është procesi që ajo ndjek për të finalizuar diçka që vërtet ia vlen?

Mua për arsye personale më ka ndodhur dhe kjo shkëputja, unë ngela shtatzënë, linda dhe prandaj u shty dhe kjo pjesa krijuese. Ky është një justifikim, por unë në fakt kam marrë shumë kohë në fakt nga një krijim te tjetri dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Duke qenë se unë kam qenë gjithmonë e zënë ose me live ose me projektet të tjera e kam lënë pas pjesën e produksionit. Por që do të mundohem që të mos e bëj më, ndaj tani jam duke punuar edhe për një tjetër projekt. Nuk di të them se kur mund të dalë, por puna ka nisur dhe mendoj që kam zënë mend. 

Kur Davidi e pyeti se cilit zhaner muzike i përket, këngëtarja zbuloi se këtë herë ka vendosur që të eksperimentojë dhe të jetë diçka komplet e re.

Nuk jam parë asnjëherë në këtë lloj versioni. 

Kënga e saj “Dritë” ka qëndruar për plot 15 javë në klasifikimin e “The Top List”. Si do t’ja prezantonte ajo dikujt këtë këngë që e dëgjon për herë të parë?

Do t’i thoja që është një krijim shpirti dhe një rrugëtim, nuk është vetëm ajo drita që unë pashë në fund të tunelit dhe pastaj kjo le të themi që është fundi i këngës. Aty unë flas për një përjetim personal ku për shumë vite kam qenë në errësirë derisa doli dikush, diçka që i dha kuptim çdo gjëje. Kuptova që ishte shumë e lehtë, nuk ishte dhe aq e vështirë drita. Të gjithë të brendshëm e kemi luftën.

Në subjektet kryesore të këngëve shpeshherë është dashuria. Për Gigliolën si ndërlidhet kjo ndjenjë për një artiste si ajo? A eshtë një armë të cilën ajo e përdor apo është një pikë e dobët e cila e penalizon dhe mundohet që ta fshehë?

Mendoj që ecin paralel me njëra-tjetrën, nuk mendoj se më prish punë. Unë mendoj që shkrimet e mia më të mira i kam bërë në periudhat që unë kam qenë më keq. Kur kam qenë më e plogësht. Madje ndonjëherë mendoj të ndahem për një javë që të bëj një këngë për thyerje zemrash.