Shkodra Elektronike është një grup muzikantësh të cilët eksperimentojnë muzikën tradiocionale shkodrane me ritme elektronike. Ata kanë hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List” me këngën e tyre të re “Vaj si kenka ba dynjaja”. I ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë Kola, një nga pjestarët e këtij grupi, për të na folur lidhur me këngën e re dhe jo vetëm.
Si lindi Shkodra Elektronike?
Unë kisha një ide për të përpunuar këngë shkodrane me ritme elektronike, por pa pasur idenë për t’i publikuar. Thjesht për të ekperimentuar për qejfin tim. Pas dalëngadalë fillova bëra një repertor, bëra disa këngë dhe bëra disa koncerte. Atë kohë isha vetëm jo me Beatriçen. Pastaj e thirra atë, për ta përmirësuar projektin (qesh).
Sa vite u bë që eksperimentoni këtë muzikë?
Nuk janë shumë vite, sepse pandemia na ka ndalur të gjithëve. Gati dy vjet pa koncerte dhe gjëra të reja. Por ne kemi filluar në 2019 duke bërë koncertet e para. Kanë kaluar 4 vite që kur e kemi filluar këtë projekt.
Si lindi dashuria për të përpunuar këngë të vjetra shkodrane?
Ne i njohim këngët shkodrane që fëmijë. Por duke dëgjuar interpretime të vjetra në YouTube, fillova të mendoj se sa moderne janë. Pavarësisht se ishin të vjetra, kishin një modernitet, një mënyrë harmonie dhe ritmike që mund të ishte kthyer fare mirë në një sound kontemporan. Këtu lindi ideja e parë për të nisur me eksperimentimin.
Çfarë feedback-u keni marrë nga publiku?
Feedback-u ishte shumë pozitiv. Ishte një projekt që as ne nuk e dinim si do të shkonte. Ishte kryesisht për qejfin tonë. Por dalëngadalë njerëzit e pëlqyen. Na kanë dhënë vrullin për të vazhduar rinia që na thanë se muzika tradicionale ishte e vjetër, por tani janë në një mënyrë tjetër. Plus kanë zbuluar dhe këngëtarët e vjetër. Kanë qenë shumë interesante dhe reagimet nga gjeneratat e dyta, emigrantët që kanë lindur në Itali që me këngët tona kanë zbuluar rrënjët e tyre.
Pse kjo zgjedhje për të sjellë “Vaj si kenka ba dynjaja” dhe çfarë fabule ka?
Kjo lidhet me problemet që sjell emigracioni. Ne jemi emigrantë dhe është një tekst shumë afër me eksperiencat tona personale. Kjo këngë është krijuar në fillim të shekullit XX, kanë kaluar 100 vjet dhe teksti është aq aktual sikur të jetë shkruar sot. Nuk është këngë që të jep shpresë. Janë hallet e një emigrant që i qahet mikut të tij.