Sergio Hajdini është një prej këngëtarëve më të rinj në tregun muzikor por me një zë që premton shumë, me të cilin jemi njohur në “The Voice of Albania 5”.
Pas disa këngëve nëpër festivale, Sergio, vetëm pak ditë më parë, ka prezantuar këngën e tij të parë me titull “My Drug”, videoklipi i së cilës pritet të dalë javën e ardhshme.
Edhe pse ka vetëm një javë që ka dalë në treg, “My Drug” është tashmë në renditjen e “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e 20-të.
Sergio, i cili ka studiuar në Itali për piano dhe sound engineer, aktualisht punon si instrumentist si dhe bashkëpunon për produksione të ndryshme me kompozitorin e mirënjohur Shpëtim Saraçi.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Sergio ka folur për këngën e tij të re, bashkëpunëtorin e tij si dhe planet që ka për këtë verë.
TA: A është ky projekti i juaj i parë muzikor?
Sergio: “My Drug” është projekti i parë për vitin 2017 me videoklip, pasi të tjerat kanë qënë në festivale etj.
TA: Kush është LuiDaVillian? Si lindi ideja për “My Drug”?
Sergio: Para 1 viti jam njohur me reperin LuiDaVillian dhe kur kam dëgjuar zërin edhe projektet e tij, ideja e parë që më lindi ishte të bëja një bashkëpunim me të. LuiDaVillian është një artist reper i ri, është rritur në Kaliforni por me origjinë shqiptare. Padyshim është një nga reperat më të mirë në Shqipëri pasi ka një stil shumë të veçantë dhe avangardë.
TA: Na zbuloni më shumë për këngën, kush është kujdesur për tekstin dhe muzikën?
Sergio: Muzika është në stilin Pop/RnB dhe është krijuar nga vetë unë. Teksti është në bashkëpunim me LuiDaVillian.
TA: Keni paralajmëruar se së shpejti do dalë klipi i këngës, kur saktësisht? Do të kemi femra “seksi” në këtë klip, duke qënë se kënga të sjell në mendje temperaturat e larta?
Sergio: Videoklipi do të publikohet këtë javë në media dhe brenda muajit Prill do të jetë në të gjitha platformat dixhitale si Digital Stores & Youtube si Vevo, iTunes, Spotify etj. Videoklipi do të ketë plazh, rërë si edhe dy femra të cilat janë binjake. Nuk po zbuloj më tepër.
TA: Edhe pse është heret, po mendoni për një tjetër projekt muzikor gjatë sezonit veror?
Sergio: Projekti muzikor është gati. Së shpejti do të nisin xhirimet e videoklipit të rradhës.
TA: Që në javën e parë të publikimit, jeni pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”, si ndiheni për këtë?
Sergio: Ndihem mirë që kënga është publikuar për herë të parë në “Top Awards” dhe që mban vendin e 20-të. Jam i bindur që nëse nuk është këtë javë, do të jetë shumë shpejt në vendin e parë.