Këngëtarja e njohur Samanta Karavella ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri muzikor, i cili përbëhet nga dy këngë. Artistja ka zgjedhur të ndërthurë këto dy këngë në një videoklip me minutazh rreth 5 minuta.
Projekti i ri titullohet “Mala x Cha Cha Cha” dhe duhet thënë që i ka dhuruar kësaj vere akoma më shumë ritëm dhe energji të mirë. Për muzikën Samanta ka bashkëpunuar me Muma-n, i cili po ashtu është edhe tekstshkruesi i këtyre dy këngëve. Kënga është një hyrje e re në “The Top List”, por edhe pse e tillë ajo ja doli që të renditet në vendin e 24-të të klasifikimit.
Nëse u hedhim një sy komenteve në “YouTube” të këngës, ato tregojnë se ndjekësit kanë vënë re diçka. Videoklipi i Samantës duket se ka ngjashmëri të madhe me atë të reperit Kanye West në këngën ‘”Fade”, të publikuar në vitin 2016.
Këngëtarja jonë bukuroshe shfaqet shumë sensuale duke kërcyer në një mënyrë tepër provokuese, me flokët e lagur dhe e veshur shumë seksi. Nga ana tjetër po kështu është dhe balerina në videklipin e Kanye West. Vihet re se në të dyja rastet, veshjet janë pothuajse të njëjta, siç është dhe kërcimi, po ashtu dhe stili.
Nëse Samanta është frymëzuar nga videoklipi i këngës “Fade”, apo nëse ajo ka zgjedhur të kopjojë këtë të fundit, kjo mbetet në këndvështrimin e secilit.