Samanta Karavella ka publikuar këngën e saj më të re që mban titullin “Alo”, një këngë e cila u bë mjaft virale në rrjete sociale, pasi këngëtarja vendosi ta para-publikojë atë. “Alo” është një baladë mjaft e ndjerë, që fansat e saj mezi prisnin të publikohej dhe votat e tyre bënë që të hynte këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.

Samanta është një prej këngëtareve më të dashura të publikut shqiptar. Ajo sigurohet që shpesh të jetë fare pranë dëgjuesve dhe fansave të saj me projekte të reja, të cilat priten mjaft mirë.

Megjithatë, këngëtarja ka vendosur prej kohësh që të mbajë shumë hermetike dhe larg syve të publikut jetën e saj personale. Para pak kohësh flitej në rrjet se artistja i kishte dhënë fund beqarisë dhe ishte fejuar, zëra që Samanta vendosi të mos i komentonte.

Nga ana tjetër, vetëm para pak javësh një video e Ardit Çunit në TikTok i bëri njerëzit që të mendojnë se ai dhe Samanta Karavella janë në një lidhje. Arditi shfaqet duke improvizuar me një sound viral në TikTok, teksa qëndron pranë një vajze.

Nisur nga tatuazhi në kyçin e dorës, njerëzit e vëmendshëm dalluan që bëhet fjalë për Samanta Karavellën. Por dhe këto ishin thjesht thashetheme, pasi Arditi u shpreh në ato kohë se me Samantën janë miq shumë të mirë dhe asgjë tjetër.