E ftuar në këtë episod të tretë të “A Live Night” ishte artistja shumë e dashur Ronela Hajati. Në një intervistë të veçantë, ekskluzive dhe shumë unike, Ronela Hajati zbulon më tepër nga jeta e saj. Artistja dukshëm është lindur dhe rritur me muzikë.
Fëmijëria ime ka qenë periudha më e bukur. Unë kam patur fatin të kem një familje shumë të kulturuar, shumë të pasur shpirtërisht. Që e vogël më çonin në çdo eveniment të mundshëm që dinin që unë do të dilja në televizor… Unë në fillim kam nisur të prezantoja evente letrare për promovimet e librave për fëmijë të shkrimtarëve të ndryshëm shqiptarë. Recitoja me një pathos shumë të madh, më pëlqente shume recitimi. M’i përgatiste babi poezitë dhe më dëgjonte para se t’i recitoja para publikut. Më pas nisa mësimet e panios, valle, balet, të gjitha…
Duket se pavarësisht zhanrit të saj në muzikë dhe qëllimit të Ronelës për të argëtuar publikun, këngëtarja ka shumë njohuri në fushën e muzikës, teksa këtë kulturë e ka marrë që në vegjëli.
Kur kam qenë në klasë të dytë ose të tretë, më kanë marrë për herë të parë të dëgjoja opera. Nuk doja të ikja në fillim. Isha fëmijë dhe mendoja që ata vetëm bërtasin. Pas disa herëve, pastaj i kuptoja ngjarjet që do ndodhnin. Më pëlqente shumë. Ne shkonim pothuajse çdo javë në teatër, ose opera ose në balet. Pasi fillova pianon isha e detyruar t’i mësoja autorët e veprave sepse duhet t’i luaja, kisha provimet. Më duhet të mësoja Beethoven, Bach, Mozart…
Gjatë intervistës speciale, artistja ka shfaqur një forcë të brendshme të saj.
Absolutisht që do përplasesh, do vritesh, do të të thyhet zemra aq herë sa do ta lësh këtë gjë një mijë herë, por nuk duhet të heqësh dorë. Nëse arrin deri në atë pikë që ti je koshiente që vlen, nuk duhet të heqësh dorë. Fillon bëhesh e zonja vetes, ia di gabimet vetes edhe duke ia ditur gabimet vetes mund t’i rregullosh, mund t’i ndreqësh. Mendoj se në showbiz po mos të jesh me këmbë në tokë je i mbaruar…
Ronela ka zbuluar jo pak një fëmijëria e saj, teksa pranoi se nuk kishte një moment vendimtar kur ajo vendosi të bëhej këngëtare. Kjo sepse ajo ka lindur dhe është rritur me muzikën.
Po të shohësh ditëlindjen time të katërt është një kukull e stisur sepse mami më vishte fustane me xixa, por gjunjët i kisha copë. Kuptohet që unë nuk isha asnjëherë me dëshirën time goca me fustane me xixa, kam qenë fëmijë shumë i lëvizur. Por po ta shohësh atë ditëlindje unë jam gjatë gjithë kohës duke kënduar. Koncerte recital, isha aq e lumtur, mami më nxiste. Filloi kënga e Michael Jackson dhe i imitoja lëvizjet… Kam lindur me muzikë dhe nuk kisha ndonjë ditë vendimtare, thjesht nuk e mendoja jetën pa muzikë, pa të kërcyer. Jeta më ka ndjekur me muzikë.
Teksa u shpreh për fëmijërinë, ajo foli edhe më tepër për prindërit, teksa zbuloi se kujt i ngjan më shumë.
Gocat zakonisht ngjajnë me baballarët, por unë i kam ngjarë jashtëzakonisht shumë. Me kalimin e kohës mami ma ka futur në gjak mënyrën e saj e të të sjellurit, dhe jam shumë edhe si mami në disa momente. Por i ngjaj shumë babit sepse ai ka qenë autoritar, por ka patur shumë humor. Ka qenë njeri shumë tolerant deri në një pikë që po ta kaloje e ke patur fajin vetë. Unë jam e tillë. Shumë tolerante, shumë mirëkuptuese, dashamirëse.
Artistja theksoi njërin nga tiparet e babait të saj gjithashtu, që është pikërisht pozitiviteti. E tillë përpiqet të jetë edhe vetë Ronela, pozitive dhe optimiste gjatë gjithë kohës.
Mendoj që njeriun po ta rrisësh me pozitivitet, me optimizëm, me dashuri mund të bëjë gjëra të mrekullueshme. Mendoj që i kam ngjarë babit. Kam shumë pozitivitet brenda vetes dhe mendoj se gjërat gjithnjë do shkojnë mirë. Kështu ishte dhe babi. Ndërsa mami është më dramatike…
Artistja zbuloi si e nisi ajo karrierën muzikore, që dukshëm ka ndodhur në një moshë të hershme.
M’u fut një ide në kokë që unë isha superstar që po e kërkonte e gjithë bota dhe më duhej patjetër ta shfaqja veten. Mbaj mend që herën e parë kam dalë te “Kërkohet Një Yll”, isha përshëndetëse. Isha thjesht 12 vjeç. Më pëlqeu shumë si ide të më ftonin shumë shpesh. Më pas shkova te “Ethet e Së Premtes Mbrëma”. Kanë qenë tre ditë audicion. U bë një si ditë shtesë dhe kam shkuar grupi i fundit fare. Dola atje, thashë ‘ky është momenti yt’. Ata thanë ‘po’. U thashë jam 14 vjeç, më pas 12, të vërtetën. Më thanë që nuk lejohet, por u cilësova si përjashtimi. Kur nuk jam futur në dhjetë më të mirët, u mbylla në banjo dhe kam qarë… Pas një viti hyra në gjimnaz. Erdhi ‘Poleposition”, shkollë arti me kërcim, me aktrim, me këngë. Duhet t’i bëje të gjitha. Mami absolutisht që nuk ishte dakord sepse unë sapo kisha nisur gjimnazin dhe do të duhej të isha shumë e fokusuar te mësimet.
Artistja tregon gjithçka në rrëfimin e saj të sinqertë, teksa zbulon vështirësitë për krijimin e një karriere muzikore në Shqipëri. Ajo pohon me bindje, se të kesh talentin nuk është e mjaftueshme dhe duhet promovimi i duhur i tij.
Ndonjëherë të dish se si ta shfrytëzosh talentin tënd është më mirë sesa ta paraqesësh talentin tënd vend e pa vend. Arti tani është industri, showbiz-i është industri, është biznes. Nëse ti je kaq talent i madh që nuk duhet të humbasësh dhe je në duar të sigurta e dinë të tjerët se çfarë duhet të bëjnë me ty. Në Shqipëri duhet të merret familja jote ose njerëzit e tu më të dashur. Ka shumë artistë të rinj që mendojnë se janë më të mirët e botës dhe pastaj kur bien, se të gjithë bien, e përjetojnë 500 herë më keq sesa po të ishin realistë dhe ta dinin se ka dhe ulje dhe ringritje, dhe e tillë është muzika. Të jesh modest, njeri me kokën e ulur që të pranosh kritikat, vërejtjet, të dëgjosh këshillat, është gjëja më e mirë për të krijuar një mburojë që të mos vritesh kur bie. Sepse për të rënë do biesh patjetër. Fama nuk më ka goditur asnjëherë, sepse jam mësuar që fëmijë me kamera, nuk më ka bërë asnjëherë përshtypje një kamera më shumë. Nuk kam marrë kot, të fluturoj për faktin se mund të më njohin njerëzit. Unë mund ta shfrytëzoj këtë gjë në të mirën time, në punën time…
Ronela gjithashtu na zbuloi një tjetër anë të të qënit një këngëtare, teksa tregoi edhe vështirësitë e këtij profesioni.
Ka të mirën dhe të keqen sepse ne jemi artistë në shpirt, por për publikun ne jemi argëtues. Ne jemi njerëz që njerëzit shtyjnë orët me ne, heqin mendjen nga diçka e keqe që u ka ndodhur, bëjnë dedikime dhe në fund të ditës kjo gjëja duhet të vazhdojë…
Por cila është gjëja më e keqe që i ka ndodhur këngëtares?
Mua gjëja më e keqe që më ka ndodhur nga kjo rënie nuk është vrasja, por zhgënjimi. Unë jam vajzë e vetme dhe të shtëpisë sime nuk më kanë ndjekur nga pas kur kam vendosur që muzika të ishte profesioni im. Nuk kanë qenë shumë dashamirës. Kanë dashur që muzika të ishte kulturë, një plus përtej një profesioni. Ndaj nuk më kanë përkrahur në pjesën e investimit. Muzika në fillim do shumë investim derisa ti të njihesh. Unë këtë nuk e kam patur. Absolutisht që gëzoheshin shumë kur merrnin reagimet pozitive të njerëzve.
Unë kisha vetëm miq njerëzit që mund t’i besoja më shumë. Por miq të mirë ngelen shumë pak në jetë. Shumica shkojnë e vijnë. Kur ti beson shumë, edhe zhgënjehesh shumë. Kur zhgënjehesh, qan. Unë kam qenë tip i ndjeshëm, shumë naïve, shumë emotive. Absolutisht që kur je në një botë të egër, në një xhungël si puna e muzikës, edhe po mos të kenë gjë për ty, do shpikin. Fjalët ndonjëherë shkonin në veshët që nuk duheshin, dhe punët e mia prisheshin. Unë normalisht i përjetoja shumë rëndë. Por nuk e tregoja që isha keq, gjithnjë qeshja. Të vetmit në fund të ditës që merakosen, janë vetëm mamaja dhe babai. Tani mburoja është e fortë si spartanët. Hermetike, nuk dua që askush të dijë asgjë për mua.
Ndër të tjera, Ronela u shpreh edhe për një pauzë që pati në muzikë pikërisht në vitin 2015.
Unë pata një pushim jo për dëshirën time. Keqmenaxhimi, besimi i njerëzve jo të duhur për të punuar, të çojnë në suspanca muzikore, që showbiz-i në Shqipëri nuk t’i fal. Në fund të vitit 2015, unë isha realisht për të nisur çdo gjë nga 0. Ndihesha keq, ndihesha një 0 në muzikë.
Por, siç vetë e pranoi Ronela gjatë intervistës, ka rënie, por ka edhe ringritje, dhe i tillë ishte projekti i radhës për artisten.
Mendoja që duhet të filloja patjetër koncerte. Jam kritike shumë e keqe e vetes sime. Isha në një stad shumë të rëndë, mendoja do bëj një klip. Në fakt më rastisi që ndodhën këto sulme terroriste, edhe unë kisha një klip me shumë figurantë të veshur me të zeza, me makina të vjetra, dolëm pa leje në Tiranë. Ndodhi një incident, që kjo ngjarja përfundoi në lajme pa u ditur që unë isha udhëheqësja. Kur e pashë që kishte përfunduar në lajme, shkova në polici vetë dhe u thashë jam unë. Më morën në pyetje, kam ndenjur goxha. Më pas doli fotoja, u kuptua që isha unë. Ishte përplasja e këtyre ngjarjeve terroriste, unë përfundova në Daily Mail, në faqe të parë në Angli. Njerëzit u interesuan për këngën “A Do Si Kjo” dhe kënga ime u bë hit nëpër Europë. Ishte himmi i karnavaleve të Afrikës së Jugut. Doli gjëja që unë doja. Nga ajo këngë pata shumë përfitime dhe bëra shumë të tjera. Jo vetëm që u riktheva, por isha në një fazë shumë të mirë.
Një pikë shumë e rëndësishme e karrierës së saj kjo, edhe për faktin se Ronela na përfaqësoi në Eurovision vetëm pak ditë më parë, artistja flet më tepër për karrierën dhe jo vetëm në “A Live Night”. Pikërisht për Eurovision, ja si shprehet këngëtarja.
Të gjithë artistët e kanë qejf Eurovision. Të gjithë duan të shkojnë në atë skenë, sepse në Europë ajo është skena më e madhe muzikore ku shqiptarët kanë mundësi të shkojnë. Ti absolutisht që dëshiron të jesh i suksesshëm në Europë dhe në të gjithë botën sepse të gjithë jetojmë me ëndrra. Këto janë ëndrrat e para që përjetojnë artistët. Një skenë që mund të jetë e prekshme dhe që ti e ëndërron që mund ta arrish një ditë është e Eurovision. Kisha një material, që mendoja se pasi të bëhej anglisht, mund të dilte bukur. Kam punuar shumë për këtë këngë dhe mendoja se ishte e një niveli që e meritonte të shkonte në festival dhe të fitonte. Por është absolute që ti gjithmonë kur të arrish në një moment që e do shumë, do kesh përplasje. Kënga kur shkon në Eurovision mbështetet, por kur nuk e fiton do shahet. Për mua arritje më e madhe është të futem në finale, gjë që ka patur artistë që edhe nuk e kanë arritur. Që të futem në finale është një arritje shumë e madhe sepse duhet të jemi koshientë që Shqipëria është një vend i vogël, që fatkeqësisht nuk ka ndikim tepër të fortë te shtetet e tjera të mëdhaja. Mua më pëlqen që kënga është pëlqyer shumë nga njerëzit jashtë edhe nga fansat e Eurovision jashtë që janë shumë skeptikë dhe detajistë.
Por duket se pavarësisht çdo festivali, renditjeje apo klasifikimi, e rëndësishme është dashuria e publikut për artistin.
E duan këngën shumë, e dinë përmendsh. Mua kjo ma mbush zemrën se në fund të ditës kjo është ajo që dua, me dashurinë dhe nevojën e madhe që të kem edhe mbështetjen e vendit tim sepse këtu kam lindur, këtu kam dashuruar, këtu jam rritur, këtu kam marrë frytet e para të punës sime…
Ndër të tjera, Ronela u shpreh edhe për vështirësitë që ka hasur në këtë profesion, ofendimet, sharjet dhe epitetet e ndryshme të cilat i janë etiketuar.
Problemi ynë është që ne nuk kritikojmë, ne shajmë, ne ofendojmë. Mua 90% e njerëzve që më shkruajnë nuk më njohin, nuk e dinë se çfarë jete bëj unë, se çfarë vështirësish, problemesh, gëzimesh, çfarë gjërash përjetoj unë gjatë ditës. Nuk e dinë fare mundin edhe peripecitë që kaloj për të arritur këto gjëra. Njerëzit kënaqen me ne, nëse nuk të pëlqen, ndërroje. Shiko një tjetër që të kënaq. Pse shan?! Pse, këtë nuk kupotj. Sepse ata mund të paragjyojnë çfarë të duan, mund të sulmojnë, mund të vëjnë epitete, prap nuk dinë asgjë.
Por kush e kritikon më së shumti Ronelën?!
Unë e kritikoj veten time gjatë gjithë kohës. Zërin tim e urrej kur flas. Mendoj që mund të isha veshur më bukur, mund të isha treguar më pak euforike. Shumë herë do doja t’i hiqja këto.
Më tej, Ronela u shpreh edhe për gjysmën e saj tjetër, si do të donte artistja të ishte burri që ajo ka në krah?!
Duhet të jetë i zoti. Unë jam vajzë që punoj shumë, e dua punën. Jam njeri shumë kërkues. Do kisha shumë dëshira të kisha në krahun tim, një djalë që të jetë i zoti, edhe të punojë, ta dojë punën.
E pyetur se çfarë do i thoshte Ronelës së vogël, artistja është më se frymëzuese me fjalët me të cilat do t’i drejtohej asaj.
Po të kisha Ronelën e vogël përballë, e vetmja gjë që mund t’i thoja do ishte një fije shprese. Që ta merrte me pak më shumë sportivitet thyerjet e zemrës në muzikë. Mund t’i thoja që nëse nuk i ke dëgjuar njerëzit deri tani, vazhdo mos e bëj.