I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artisti i mirënjohur Altin Goci. Gjatë bisedës, ai ka ndarë momente nga rrugëtimi i tij artistik, projektet e reja, si edhe sfidat dhe frymëzimet që kanë shoqëruar karrierën e tij ndër vite. Me thjeshtësinë dhe energjinë karakteristike, Goci ka sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe të afërt për publikun.

Nëse do të bënim një udhëtim pas në kohë në fillimet e karrierës së tij, si ka ndryshuar rrugëtimi i tij muzikor?

Unë kam dalë, siç dihet, nga Ritfolk në ’91 në festival për herë të parë dhe bëmë një këngë që quhet ‘Ëndërroj’, edhe thjesht donim të merrnim pjesë në festival dhe kaq. Nuk është se kishim ndonjë ambicie për të shkuar më tej. Ishim thjesht 4 çuna të rinj që kishim bërë një këngë dhe donim ta lançonim në festival. Mirëpo, ajo mrekullia ndodhi që morëm çmimin e parë për grupet e reja dhe ajo na bëri që ta merrnim pak më seriozisht këtë punën e muzikës, edhe pse ishim 18 vjeç. Ëndrrat patjetër që ishin aty, thjesht duhet t’i shpalosnim. Kjo shkoi vit për vit duke bërë këngë të reja, pastaj albumin. Për ta përmbledhur, ndahem me grupin dhe vazhdoj karrierën time solo. Pra, mund të themi që karriera ime ka pasur ato ulje e ngritje. Mund të them që fakti që jam ende në treg, po jap këtë intervistë me ju, tregon që unë jam akoma prezent në muzikë.

Cili është kujtimi më i fortë që ka përjetuar në ditët kur ka qenë me grupin Ritfolk?

Ka goxha momente. E kam thënë në fakt se nuk dua të përsëris vetveten, por kur fituam çmimin e parë nuk na e kanë dhënë si çmim. Na harruan prapaskene. Për hir të vërtetës ne pritëm e pritëm derisa mbaroi festivali, edhe na kërkuan falje. Ashtu ndodhi një lapsus. Janë ca kështu që ne i themi me shaka. Në ’92 me ‘Afrohu’ na nxorrën fare, nuk na futën as në finale. Aty pësuam zhgënjimin tonë të parë në këtë botën e dhunshme të artit dhe të muzikës.

Duke qenë se ka ndryshuar edhe qasja e publikut ndaj muzikës, cila është më e rrezikshmja për artin, sipas Altinit, censura apo vulgariteti?

Për mua, ka prekur fundin. Kjo nuk do të thotë që jam pro censurës. Unë i përkas atij brezi dhe më shumë kam dëgjuar, por edhe kam parë shumë, që nuk ishe i lirë të shprehje atë që doje. Qoftë në muzikë, qoftë në tekst dhe kjo është e tmerrshme për një artist. Ndoshta ngaqë e kam aktuale dhe është koherente e gjithë kjo ndjesia ime e gjithë këtyre viteve e që dëgjoj të gjithë këtë muzikën vulgare, ose muzikën që thashë që ka prekur fundin për mua, them këtë të dytën më shumë. Ekstremet asnjëherë nuk janë të mira.