Ai pritet që së shpejti të ulet në karrigen më emocionuese në Shqipëri, në atë të “The Voice of Albania”. Bëhet fjalë për Naim Bunjaku, ose siç njihet ndryshe në fushën e artit, Xuxi, i cili është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes dhe jo vetëm si trajner por ai sapo ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Seven Days”.
Xuxi, i cili është rikthyer në atdhe pas 5 vitesh jetese në Angli, së fundmi ka dhënë një intervistë për “Select” ku ka shpjeguar më shumë detaje lidhur me këngën e tij më të re dhe planet që ka për të ardhmen.
“Seven Days” është kolona zanore e filmit më të ri shqiptar “7 Dite”, një këngë e gjitha në Anglisht. I pyetur se pse zgjodhi të vijë me këtë version, ai është përgjigjur: “Nuk ishte zgjedhja ime pasi une u ftova nga kompozitori Genti Lako, i cili ka bërë të gjithë audion dhe muzikën e filmit. Të gjitha këngët janë në gjuhën angleze dhe kështu duhet të ishte edhe kolona zanore pra është një zgjedhje e kompozitorit dhe jo e imja”.
Ky projekt muzikor është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” që në javën e parë të publikimit, duke u pozicionuar në vendin e 20-të.
Sa i përket planeve të së ardhmes artisti ka shpjeguar se do të jetë pjesëmarrës në Festivalin e Dhjetorit me një këngë të kompozuar përsëri nga Genti Lako, me një tekst domethënës dhe muzikë ritmike si edhe e duhura për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong.