Të gjithë e mbajmë mend Luarin me projektin e saj të parë muzikor “Gjithmone” në bashkëpunim me Flori Mumajesin, e cila rrëmbeu zemrat e publikut shqiptar falë zërit të saj të ëmbël.
Pas një kohe të gjatë mungese në tregun muzikor shqiptar, ekzaktësisht 5 vite, këngëtarja është rikthyer me këngën e saj të titulluar, “Si dje”, një këngë që ka rezultuar tepër e pëlqyer që në momentet e para të publikimit.
Në një intervistë të dhënë për “Pasdite ne Top Channel”, Luar ka folur për projektin e saj të ri muzikor, pse i ka munguar tregut shqiptar për kaq shumë kohë dhe cilat janë planet e saj për të ardhmen.
E pyetur nga drejtuesja e programit, se cfarë ka bërë gjatë 5 viteve mungesë në muzikë, Luar ka shpjeguar se është marrë me studime në Gjermani për Menaxhim Biznesi dhe më pas ka përfunduar masterin në Austri, Vjenë, duke u kthyer sërish në Gjermani ku aktualisht jeton dhe punon.
Sa i përket projekteve në të ardhmen, Luar ka zbuluar se janë rreth 6 projekte të tjera të kompozuara të cilat priten të publikohen së shpejti, duke treguar kështu që për Luarin, “Si dje” është thjesht vetëm fillimi i këtij rikthimi të fuqishëm.
Po cili është kuptimi i projektit të saj të ri muzikor “Si dje”?
Luar ka treguar se “Si dje” nënkupton se është rikthyer në muzikë si para 5 vitesh kur ka kënduar “Gjithmonë”. Përvec kësaj, kjo këngë flet për dashuritë e humbura, që edhe pse kanë marrë fund, kujtimet mbeten aty, një ndjesi që e kanë përjetuar të gjithë.
Sa i përket tekstit dhe vijës melodike të kësaj kënge, ka qënë vetë këngëtarja që është kujdesur. Në tekstin e kësaj kënge, Luari ka përfshirë edhe një strofë të këngës së vjetër të Bashkim Alibalit, “Sma njohe zemrën”. Xhirimet e klipit janë kryer në Kosovë.
Falë sugjerimeve të publikut, “Si dje” është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” për herë të parë, duke u renditur në vendin e 50-të.