Altin Goci ka publikuar së fundmi këngën e tij të re me titull “Kërko magji në ajër”, pjesë e albumit “Kthehem prapë”. I ftuar në studion e “Wake Up”, kantautori na foli më shumë për këtë projekt të tijin, por jo vetëm.

Në këngë ke të përfshirë dhe një fjalim të Winston Churchill ku thotë “Çfarë njerëzish kujtojnë se jemi”…

Ndoshta kjo ka qenë dhe zanafilla e tekstit, e këngës, gjithë ky mllefi dhe rebelimi i një artisti për të bërë diçka. Është një lloj rebelimi që vjen nga fenomene të ndryshme, po ta marrim në makro në botë situata nuk është aspak e mirë, lugtërat, ngrohja globale, AI. Po ta marrin pastaj në mikro, këtu në Shqipëri, që në momentin që zgjohesh dhe pin një kafe, bombardohesh nga një lloj muzike, tjetri të zë makinën në parkim… Kjo këngë prandaj ka një lloj mesazhi optimist që secili nga ne të përpiqet të gjejë atë ajrin e vet, në mënyrë metaforike, të përpiqet të mbushi veten me qetësi, me njerëzit që i rrethojnë. Sepse ne jemi të pamundur për ta ndryshuar këtë botë, këto fenomene kanë ndodhur dhe do të ndodhin.

Mendon që siç ke sjellë ti këtë formë rebelimi, është momenti që dhe ne të rikthejmë këngë me këtë mision dhe të dëgjojmë këtë lloj muzike?

Është shumë e vështirë, sepse jemi në një shoqëri që tashmë është kështu. Secili duhet të bëjë punën e vet. Të mos jemi pjesë e kësaj ‘turme të marrë’, por secili të tregojë vlerat e tij. Sepse vlerat duhet të mbizotërojnë antivlerat. Artistët kanë misionin që duhet të japin mesazhe.