Edhe pse prej shumë vitesh pjesë e skenës muzikore, Genc Salihu bëhet së fundmi pjesë e Top Awards. Ai ka publikuar këngën e tij të fundit “Ti nuk je normal”, me të cilën ka debutuar këtë javë në “The Top List”.
Genc Salihu ka lindur me 14 Tetor 1981 dhe është një muzikant nga Prishtina, në skenë që nga viti 1995. Genc Salihu filloi herët të merret me muzikë, në moshën 9 vjeçare, me një kitare klasike. Akordet e para i mësoi në shtëpi prej babait, dhe prindërit vazhduan të jenë mbështetja kryesore e Gencit, gjatë gjithë zhvillimit të karrierës së tij në muzikë. Kur ishte 13 vjeç u zbulua si talent prej kitaristit Nexhat Macula, me të cilin inçizoi një album me këngë të tyre. Kur ishte 15 vjeç fitoi festivalin garues të muzikës në Prishtinë Show Fest ’97, me këngën Lojërat Ekzotike.
Këtu fillon karriera e Genc Salihut në muzikën rock. Si rrjedhojë e suksesit në festival, i bashkëngjitet grupit të bateristit të njohur Babuka si këngëtar dhe kitarist, me të cilin paraqitet live nëpër klubet kryesore të kohës në Kosovë. I inkurajuar prej Babukës dhe përvojës profesionale me grupin e tij, fillon të inçizojë albumin e parë, me këngë dhe orkestrime origjinale në studion e Enis Preshevës, ku luan si multi-instrumentist. Albumi humbet gjatë plaçkitjes së studios së Preshevës gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999. Mbas luftës, Genci fokusohet plotësisht në skenën underground të muzikës në Prishtinë.
Themelon grupin “Hajde”, me të cilin realizon këngën dhe videoklipin ‘Diku në trotuar’ dhe përkohësisht i bashkëngjitet grupit “Por-No” të Dritëro Nikçit. Në vitin 2003, me shokun e ngushtë dhe bashkë-udhëtarin muzikor Enes Bajramliqin, me të cilin kishin ndarë të njëjtën bankë në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, fillon punën në projektin “Cute Babulja”, i cili përfshin themelimin e studios muzikore Dukat Mongi, një album të realizuar aty me producentin Labinot Sponca (Cute Babulja, 2004) dhe dy video-klipe të realizuara nga kompania “Koperativa”.
Ky projekt bëhet shumë i suksesshëm. Video-klipe të këngëve ‘Kolateralisht’ dhe ‘Udhë të mbarë’ mbesin gjatë në top-lista dhe të dyja triumfojnë në Video Festin Muzikor, ndërsa ‘Kolateralisht’ fiton dhe çmimin kryesor. Albumi vazhdon të mbetet një prej albumeve më të shitur të muzikës rock kosovare. Më datë 12 Nëntor 2007, Bloody Foreigners publikon videoklipin “Shabani”, në bashkëpunim me Genc Salihu. Menjëherë pas publikimit të albumit “Cute Babulja”, Genc Salihu vendoset në Londër, ku mbaron studimet për audio-inxhinieri në shkollën e njohur SAE. Atje bashkëpunon ngushtë me grupin The Bloody Foreigners, me të cilët më vonë realizon singlin ‘Shabani’.
Pasi kthehet në Prishtinë, e rindërton studion Dukat Mongi në një lokacion të ri, ku realizon si producent albumin debutues ‘Molla e parë’ të kantautorit Shpat Deda dhe disa projekte të tjera singel për grupe të qytetit, ku shquhet kënga ‘Andrra’ e grupit The Freelancers, që u përfshi më vonë në albumin e tyre të parë. Në vitin 2009, së bashku me librarin Baton Domi dhe regjisoren Kaltrina Krasniqi, themelon kafe-librarinë Dit’ e Nat’, që shpejt shndërrohet në një nyje të rëndësishme kulturore në Kosovë, duke shërbyer jo vetëm si kafeteri dhe librari, por edhe si platformë debati dhe promovimi kulturor, pikë takimi poetik, skenë alternative për zhanre më avangarde muzikore dhe botues librash dhe albumesh muzikore.
Om Quartet, Nesim Maxhuni dhe The Freelancers janë vetëm disa nga grupet/muzikantët që botuan albume me Dit’ e Nat’. Në vitin 2010, Genc Salihu fillon punën për albumin e parë solo, në të cilin vendos të mos përfshihet në prodhim dhe të përqendrohet plotësisht në aspektin krijues. ‘Këngë e venë’ (2011) inçizohet në studion Homebasesound të Armend Xhaferit dhe Pëllumb Ballata, me pjesëmarrjen e disa prej muzikantëve me emër si Visar Kuçi, Nesim Maxhuni dhe Petrit Çeku. Ky album nxjerr tre videoklipe shumë të suksesshme të punuara nga regjisorja Kaltrina Krasniqi (Rrugëve, Lufta asht bahçe, Krejt andrren), e cila ishte e përfshirë edhe në klipet e Cute Babulja-s me Koperativën. Suksesi tregohet sidomos nga klipi i këngës ‘Rrugëve’, që triumfon në Video Festin Muzikor 2011.