Redon Berani sjell këngën e tij më të re në listën e javës. E këtë herë ndryshe nga çdo herë tjetër që e kemi parë, më romantik se kurrë.
“Dashni me therra” mban titullin projekti i tij i ri që vjen këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Te kjo këngë Redoni ka lënë mënjanë repin duke na treguar një anë shumë të butë të tij.
Një baladë e ndjerë që përshkruan dashurinë e vështirë dhe të ndërlikuar. Teksti i këngës pasqyron dhimbjen dhe bukurinë që shpesh e shoqërojnë dashurinë, ndërsa melodia e saj e ngrohtë dhe prekëse i jep një thellësi të veçantë këngës.
Po ashtu dhe klipi na duket mjaft interesant. Madje, vajza në “Dashni me therra”, na ngjason paksa me Egli Takon. Rastësi vallë?!
Kujtojmë se, Redon Berani, ka shprehur publikisht pëlqimin e tij për Eglin, me të cilën u njoh brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 4”. Gjatë një deklarate në emisionin “Se luan topi”, Redoni theksoi se ka një simpati të madhe për Eglin dhe se e mbështet në çdo hap të saj.
Kjo deklaratë erdhi pas një periudhe spekulimesh nga fansat, të cilët kishin ngritur dyshime mbi marrëdhënien mes të dyve, pas afrimitetit që ata kishin shfaqur gjatë kohës që ishin pjesë e “BBVA”. Ndjekësit e programit kishin vënë re momentet e ngrohta mes tyre, duke e bërë marrëdhënien një temë diskutimi në rrjetet sociale.