Këngëtarja Rea Nuhu ishte e ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Anthony Prifti në Top Albania Radio, ku prezantoi rrugëtimin e saj artistik me një emocion të përhershëm. Së fundmi, ajo ka sjellë për publikun edhe projektin e saj më të ri, këngën “Harroje”, një baladë e ndjerë që flet për ndarjen dhe fuqinë për të ecur përpara. Duke krahasuar muzikën në fillimet e saj dhe tani, si ka ndryshuar ajo?

Muzika ka qenë dhe është jeta ime. E them me plot gojë. Është realisht. Është pika ime më e fortë e jetës, aty ku mbahem gjithmonë kur jam e mërzitur, kur jam e lumtur, çdo gjë mua më lidhet me muzikën. Për mua, atëherë kam qenë në fillime, kam qenë duke mësuar veten, kam qenë duke zbuluar rrymat që kam dëshirë, kam qenë në eksperimente. Kurse tani, jam më e rritur, jam më e fokusuar te gjërat që dua të bëj. Kam zbuluar që di të shkruaj dhe të krijoj muzikë vetë. Momentalisht kam marrë një ‘home studio’ dhe po eksperimentoj me veten time. E kam për demo atë derisa t’ja marr dorën normalisht programeve që merren me muzikën dhe aty ngelemi. Tek jeta ime, domethënë kjo është pak, por e sigurt.

Nga çfarë inspirohet ajo për të shkruajtur një këngë?

Nga çdo gjë. Edhe nga vetja ime. Shumicën e rasteve vetja ime dhe historitë e mia, por që patjetër në momentin që unë shikoj Davidin dhe të dashurën e tij dhe më japin një ndjesi, ose kanë një histori shumë të bukur dashurie, ose kanë një histori shumë të trishtë ndarje, këto më japin frymëzim dhe patjetër që kam shkruajtur dhe për të tjerët. Nuk kam shkruajtur gjithmonë për veten.