I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë këngëtari i njohur Kelly, njëkohësisht edhe ish-banor i “Big Brother VIP 4”. Ai ka rrëfyer më shumë për eksperiencën e tij në këtë format, projektet e reja muzikore, por jo vetëm…
Çfarë mund të na thuash për “Ti”, bashkëpunimin tënd me Egli Takon?
Është lançuar kur ishim në shtëpi, për t’u regjistruar është bërë para se Egli dhe unë të hynim në BBV. Pas eksperiencës që kishim me videoklipin “Ku je”, e ftova në një bashkëpunim se dhe ajo kishte dëshirë të rikthehej në muzikë. Na bashkoheshin edhe zërat, na pëlqeu, si kimi zërash është goxha interesante. Kënga është realizuar në studion time. Kemi tentuar të bëjmë një klip para hyrjes në BBV, por nuk arritëm dot. E meriton një ketë një klip të denjë. Sepse është pritur goxha mirë.
A është një rikthim i yt me një frymë të re?
Këngët e reja, do jenë frymë e re. Do ketë influencën e kitarës së rock, pop, por muzika evoluon. Duhet shtuar doza e tingujve të rinj, duke përdorur melodinë e duhur. Unë jam fans i melodisë së bukur dhe tekstit të bukur që ka një kuptim. Këtë jam munduar të shtoj tek të gjitha materialet e reja që do të vijnë.
Si ka qenë eksperienca jote në “Big Brother VIP”?
Kur e sheh nga jashtë është tjetër gjë, kur hyn është tjetër gjë. Nuk kisha një perceptim të saktë kush ishte favoriti kur kam hyrë. I njihja gjysmën e tyre, kishim relata miqësore, por dhe në ambiente të përbashkëta. Ditët e para ishte pak e vështirë, por kur fillon ambientohesh krijon relata të mira me të gjithë. Hyra në një pikë të lojës që kishte shumë dinamika dhe ishte e vështirë. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme.
A do të kesh ndonjë bashkëpunim me ndonjë nga banorët?
Bashkëpunim do kemi. Me Eglin kam, me Gjestin kemi lënë që do bëjmë diçka. Ndoshta me Tirin. Me Klajdin ndoshta, sepse jemi pak a shumë i njëjti brez.
Si të ka shërbyer ty kjo lloj eksperience në BBV?
Hyra për të rivitalizuar karrierën time, kisha kohë pa u shfaqur në ekranet shqiptare. “Big Brother” është një derë e madhe që të jep mundësi të shumta që njerëzit të të njohin edhe një anë tjetër, por të të njohin dhe anën artistike dhe mënyrën se si e percepton ti artin, muzikën dhe si do ta përcjellësh atë lloj gjëje. Mendoj se ka qenë një nga eksperiencat më të bukura e më të vlefshme për momentin. Është disi më e lehtë për të bërë promovimin e një kënge, për të qenë në highlight-e. Është si trampolinë që të jep promovimin.
Kush mendon se e fiton këtë edicion të BBV4?
Dy të fundit shoh Gjestin dhe Rozanën. Mendoj se pak më tepër i favorizuar është Gjesti. Ka për të qenë një garë e fortë.