Këngëtarja e njohur Ronela Hajati u shpall fituese e Festivalit të 60-të të Këngës në RTSH, me këngën “Sekret”. Ajo tashmë është e fokusuar në rrugëtimin e saj për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.

Pas fitores në Festivalin e Këngës, Ronela ka nisur përgatitjet e para për në këtë kompeticion. Më herët artistja bëri me dije se do të ripërpunonte këngën “Sekret” dhe për këtë bashkëpunoi me tre producentë të huaj.

Tashmë Ronela ka publikuar dhe videoklipin e “Sekret” dhe duhet thënë që ideja dhe realizimi është thjesht ‘wow’. Me vokalin që artistja ka, është e thjeshtë të mendohet që Shqipëria do të përfaqësohet denjësisht. Megjithatë përveç kësaj, ne jemi dhe pak kuriozë të dimë se si do të vishet këngëtarja në skenën gjigante të Eurovizionit.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe për ‘look’-un e saj do të kujdeset stillisti i njohur Niko Komani. I ftuar ditën e sotme në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio, Niko zbuloi dhe se veshjet e saj do të jenë po aq spektakolare.

Çfarë do të veshë Ronela në ‘Eurovision’? Niko zbulon:

Ronela ra në kurthin tim. Kemi 4 veshje të realizuara, është një punë e madhe. 

Pasi arriti të rrëmbente çmimin e parë të spektaklit menjëherë pati komente të ndryshme në lidhje me fitoren e saj. Si njerëz të thjeshtë, ashtu edhe disa artistë u shprehën kundër fitores. Pavarësisht të gjitha komenteve si pozitive ashtu edhe negative, Ronela tanimë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese!