I ftuar në episodin e parë të emisionit “S’e Luan Topi” për këtë sezon të ri në Top Channel ka qenë artisti i mirënjohur, Gjiko. Ai ka zbuluar më shumë detaje nga fëmijëria e tij, rrugëtimi drejt muzikës, krijimi i familjes, pasioni për muzikën dhe jo vetëm kaq…
Kur Erjona Rusi e pyeti se çfarë e shtyu dhe e nxiti Gjikon drejt muzikës, ai u shpreh duke thënë se:
Në moshën 17 ose 18-vjeçare filloi të më shfaqej ankthi dhe më shqetësonte shumë. Kjo gjë vazhdoi deri në moshën 20-vjeçare. E ndjeja që diçka nuk ishte në rregull, kisha një frikë brenda vetes gjatë gjithë kohës edhe pse në jetën e përditshme nuk kishte ndonjë gjë aq të madhe sa për të qenë aq i frikësuar.
Ajo është kur unë kam dashur të bëj muzikë dhe nuk kam qenë duke bërë muzikë dhe më ka sjellë ankthin dhe nuk më ka lënë që të isha i qetë me trupin tim. Më pas pasi kam filluar të merrem me muzikë, nuk kam pasur më asgjë.
Gjiko tregoi ndër të tjera se është falenderues ndaj mamasë së tij, e cila e ka shtyrë që të angazhohej në muzikë.
Për t’u futur në muzikë, e falenderoj mamin tim sepse ajo më ka thënë gjithmonë që kur kishte festivale që të konkurroja. Ajo ka qenë nxitësja e parë për të dalë në skenë.
Gjiko është njohur me Elitën gjatë një interviste dhe ai vetë gjithashtu ka zbuluar se që në takimin e parë i ka thënë që ajo do të bëhej gruaja e tij. Ishte një dashuri me shikim të parë për të cilën këngëtari tregoi se:
Ishte me të gjitha. Unë si njeri gjithmonë e kam ditur se çfarë dua në jetën time dhe nuk është se kam gabuar ndonjëherë me ndonjë gjë. Me Elitën ka qenë edhe energjia, gjeneza. Në kuptimin që si familje ata janë shumë të mirë, kur përputhet sensi i humorit, aspiratat për jetën dhe tradita familjare atëherë nuk besoj se mund të ketë diçka që të mund të shkojë keq.
Çfarë ka të veçantë Elita sipas tij?
Gjëja më e veçantë që e ka Elita që ia dashuroj është që ajo nuk i thyen bindjet e veta për askënd. Kjo më pëlqen shumë sepse një femër që nuk i thyen bindjet e saj për askënd kur është me të drejtë do të thotë që është një nënë e vendosur dhe më pëlqen gjithashtu sepse ajo ka një karakter shumë të fortë.
Gjithashtu ai theksoi se:
Kam për t’ia bërë një këngë shumë shpejt, e meriton. Ajo meriton të gjithë botën.
Tre vite më parë, reperi Asdren Gjikollit, ishte akuzuar për abuzimin e një vajze të mitur, 15 vjeç. Ai, fillimisht, i mohoi pretendimet e mediave, por më pas, foli për rastin dhe më tej, u shpall i pafajshëm me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ajo ka qenë një kohë shumë e vështirë dhe shumë e rëndë për ne, na u shemb e gjithë bota mbi ne. U përhapën lajme dhe aludime se para 10 viteve unë kisha fjetur me një vajzë pa dëshirën e saj dhe nën ndikimin e kanabisit. Diçka shumë koti.
Akuza së pari nuk ka qenë e ngritur nga kjo vajzë fare, por nga prokuroria. Ka qenë një vajzë pothuajse 18-vjeçare, për 1-2 muaj. Ajo ka qenë duke bashkëjetuar me dikë. Ajo e ka thënë këtë në një deklaratë në polici, por arsyeja pse ishte në polici, nuk kishte fare të bënte me mua.
Më pasi ai shtoi se:
Kjo vajza ka qenë një fanse shumë e zjarrtë që ka dashur të ketë kontakt me mua. Fati im ishte që i kisha bisedat me të ato që më kishte shkruar nëpër Facebook. Ka pasur shkrime, duke i thënë vajzës: “Të lutem, më lër të qetë. Nuk jam i interesuar të kem diçka me ty”
Kur i ka parë gjykata të gjitha këto fakte, normal që ka vendosur që jo vetëm për mua por edhe për ata që kanë qenë në procesin gjyqësor janë shpallur të pafajshëm sepse edhe vajza kur ka ardhur vetë e ka treguar versionin e historisë ashtu siç është.
Ai tha gjithashtu se përjetoi ankth dhe stres, por mendja i shkonte gjithnjë te familja.
Për mua u shkruan gjëra banale. Kam kaluar stres, ankth, dëme emocionale e psikologjike… por mendja më shkonte tek gruaja, fëmijët, babai, nëna. Çfarë mund t’u bëja atyre?
Gjiko u shpreh gjithashtu se komunikoi me Elitën, bashkëshorten, e cila sipas tij, qëndroi stoike.
Me Elitën e kemi folur hapur, për këtë kemi bërë vetëm 10 minuta muhabet. Më ka pyetur nëse ishte e vërtetë dhe i kam treguar që nuk ka qenë. Ajo ka qenë stoike, më ka qëndruar pranë.