Ardit Çuni është një ndër banorët e “Big Brother VIP”, që edhe pse rrugëtimi i tij në këtë reality show nuk zgjati shumë, frymëzimi i tij nga ana artistike ka ndezur motorrët për të sjellë projekte të reja muzikore. Pas bashkëpunimit me Çiljetën me këngën “Oj dashni” të publikuar më 22 dhjetor, ai ka sjellë projektin e radhës më 14 shkurt të titulluar “Si ti”, këngë të cilat janë votuar duke u bërë pjesë e klasifikimit të Top Awards. I ftuar në “Wake Up” në Top Channel ai ka diskutuar më shumë lidhur me këto por edhe projektet e reja që do vijnë së shpejti.
Si po i kalon Arditi këto ditë pas aventurës së tij në “Big Brother VIP”?
Sapo mbaroi eksperienca e “Big Brother”, filloi një tjetër eksperiencë që është Eurovizioni, me të cilin unë po merrem për vitin e dytë këtë herë dhe dhe jam Project Menager & Head of Press i këtij viti. Dhe vazhdon një eksperiencë tjetër që ka shumë punë deri nga mesi i muajit maj.
Po e shfrytëzon kohën për të publikuar projekte muzikore?
Kam publikuar dy klipe deri tani dhe dy të tjera do të vijnë. Është shumë e vështirë çështja e kohës pasi të bësh projekte të mira dhe të xhirosh, janë vështirësi më vete. Po mundohem të gjej hapësira, qoftë edhe dy ditë, që të largohem, të shkoj të xhiroj diku, të kthehem dhe të shkoj në studio e të mundohem të mbyll disa këngë. Por realisht është e vështirë. Jam në përfundim të dy projekteve të reja që janë shumë të rëndësishme për mua dhe mezi po pres që t’i nxjerr dhe shpresoj që t’i lançoj deri para mesit të majit.
A mund të kemi një bashkëpunim me Trixën?
Unë jam i hapur për çdo lloj bashkëpunimi. Kam plane me disa nga ish-banorët e “Big Brother”-it.
Me cilët nga banorët konkretisht?
Nuk e di nëse më lejohet që ta them por një tjetër është me Sheilën. Duam që të kemi diçka. Kam folur me Semin, kemi plane por që do të na duhet të shohim se sa do të arrijnë të realizohen.
Meqë ti i ke kënduar dashurisë po projektet e tjera si do të jenë?
Është një miks i mirë që njerëzit të ndihen mirë dhe të jetojnë mirë. Disa do të jenë për dashuri disa jo.
Po lidhur me eksperiencën e tij në “Big Brother VIP”, çfarë ka për të thënë Arditi?
Edhe në jetë unë kam një lloj filozofie. Më ka mbetur peng që u largova nga loja në një pikë kur unë isha vendosur shumë mirë. Por më vjen mirë që më pas arrita që ta shfaq veten në panel. Jam i lumtur më atë që kam bërë dhe në fund fle i qetë. Nuk hyj në kompeticione për të fituar. Qëlllimi im ishte që të shijoja në çdo detaj dhe në çdo sekondë gjithçka.