I ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio ka qenë Auron Deva, një nga artistët më të rinj të tregut muzikor shqiptar. Auron sapo ka publikuar këngën e tij të parë që mban titullin “Opera”, për të cilën na ka folur më shumë dhe duket se vjen me një mesazh të veçantë që ndoshta mund të mos e keni ditur më parë… Ja çfarë thotë artisti për projektin e tij:
“Opera” flet për shëndetin mendor dhe në tri pika kyçe, ankth, mendimi i tepërt dhe paranoja. Opera ka tre akte dhe ashtu e kam ndarë dhe unë këngën. Nuk kam dashur të bëj këngë vetëm për dashuri. Kam dashur t’i kushtoj një kohë të veçantë dhe prandaj ka marrë 6 muaj kohë. Gjithçka ka qenë e mirëmenduar që shumë njerëz nuk e kuptojnë. Tema ka ardhur nga jeta personale por edhe nga shoqeria. Rinia e sotme i prek problemet e shëndetit mendor. Ka një ‘beat’ që kam dashur ta zhduk ankthin, jo ta shtoj.
Ti vetë je përballur me gjendje ankthi në jetën tënde?
Kam pasur ankth dhe kam, por gjithnjë mundohem të jem më i fortë dhe ta kaloj. Kam zgjedhur të dëgjoj muzikë dhe të ndihmohem nga njerëz. Kënga është aq e gjallë se askujt nuk ia merr mendja që është kaq e thellë. Pastaj kur shikojnë raketën në klip, e kuptojnë disi. Tek raketa që e kam të lidhur në trup gjatë klipit, janë të shkruara shumë fjalë demotivuese. Në fund e djeg dhe i lë pas të gjitha.
Ke marrë ndonjëherë komente zhgënjyese?
Ka pasur që më kanë thënë ta lë muzikën, por nuk i lë të më ndikojnë. Unë e di kapacitetitn tim. Kam një bagazh prej shumë festivalesh në Evropë dhe kam fituar. Kam filluar vetë tek festivali i parë dhe pastaj kam filluar që të thirrem. Festivali më i madh ka qenë në Maqedoni dhe aty dola fitues me çmimin Grand Prix. Më pas kam marrë pjesë në festival në Romë ku fitova sërish dhe në Verona.
Nga e ke marrë pasionin që ke për muzikën? Merret dikush tjetër në familjen tënde me muzikë?
Flaka Krelanin e kam kushërirë dhe them se e kam marrë dashurinë për muzikën prej saj. Me këtë këngë kam marrë pjesë tek Festivali i Këngës, por nuk u pranova. Unë nuk mërzitem dhe e di se jam i ri dhe ndoshta nuk më kanë besuar.
Çfarë ke në plan të bësh tani pas kësaj kënge? Cili është hapi i radhës?
Kam marrë lavdërime nga Armend Rexhepagiqi dhe më ka thënë vazhdo kështu dhe në të ardhmen mund të punojmë bashkë. Pas kësaj do të krijoj këngë të reja. Më pëlqen shumë Flori Mumajesi dhe Armend Rexhepagiqi si kanautorë dhe kam qejf që në të ardhmen të punoj me ta. Janë ndër më të mirëfilltit dhe këngët e tyre janë perla.