Olimpia Smajlaj është një ndër artistet më të veçanta dhe më të talentuara të tregut muzikor shqiptar. Ajo së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re që mban titullin “Dy buzë”, që e ka sjellë shumë më ndryshe se zakonisht. Olimpia ka qenë e ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” për të folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm.

“Dy buzë” është frymëzuar nga poezia e Migjenit, si erdhi ky projekt?

Kjo këngë është inspiruar nga poezia e Migjenit, “Dy buzë”, prandaj i kam mbajtur dhe titullin. Në fakt unë Migjenit i kam marrë vetëm dy vargje nga poezia e tij, pataj çdo gjë tjetër ka qenë një ‘twist’ i historisë origjinale, por nga perspektiva e vajzës.

Pse zgjodhe që klipin ta xhirosh në Tiranë dhe jo në Shkodër?

E zgjodha Tiranën sepse doja të jepja pak ‘city life’, ditën dhe natën. Po të shikosh kemi zgjedhur dhe pikturat murale më interesante të qytetit, i kemi bërë promo madje. Por dhe për të dhënë vibe-in e jetës në qytet, natën, policia, dritat e qytetit. Dhe mendoj që Tirana ta jep këtë mundësi më shumë se sa Shkodra.

Kënga është një miksim eksperimental për ty, si erdhi e gjitha?

Unë eksperimentoj gjithë kohën, kështu që erdhi natyrshëm. Për rrymën drill nuk ishte ideja ime, ishin bashkëpunëtorët që më nxitën që të dal pak përtej gjërave që bëj unë zakonisht. Kënga ka dy vite që ka filluar të krijohet dhe ishte periudha kur sapo kishte dalë drill-i. Nuk e bënin shumë vajza në Shqipëri dhe thamë që ta provojmë.

A ishte e vështirë të hipje sipër tarracave të pallateve të vjetra, në klip?

Nuk ishte fare e kollajtë. Ne ishim në një lagje specifike dhe aty duhet të pyesje njerëzit. Unë për fat kisha grupin e xhirimit që ma mundësonin komunikimin me shtëpitë. Por këto janë sakrificat që bëjmë për artin.

A mendon të sjellësh një bashkëpunim me një artist tjetër?

Po, besoj se do të vijë momenti edhe për këtë. Por unë jam në fazën që po prodhoj për veten, të shoh vetë se ku jam.