I ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Mici ka qenë artisti Alis. Alisi është një muzikant i ri dhe i talentuar nga Shqipëria, i cili në moshën 21-vjeçare ka arritur të bëjë një emër të rëndësishëm në skenën muzikore. Ai ka përfunduar studimet për piano, ku ka fituar çmime të ndryshme në kompeticione për këngë dhe piano, duke dëshmuar aftësitë e tij muzikore. Në këtë intervistë ai ka folur më shumë për rrugëtimin e tij në muzikë dhe çfarë synon në të ardhmen…

Si është të jesh një student arti në vitin 2024?

Duke marrë parasysh që jam një këngëtar i ri që sapo linda, është një plus shumë i madh që të jesh përkrah studimeve sepse të ndihmon shumë nga ana e krijimtarisë. Të ndihmon që të krijosh diçka me baza të forta.

Sot konceptohet se nëse vazhdon një shkollë arti, mund të të lërë pa punë. Ti si e shikon këtë?

Varet nga perceptimet dhe synimet që ka individi për të ardhmen. Nëse ti e ke të sigurtë dhe të qartë se sa do të arrish, nuk mund të të bëhet asgjë pengesë, aq më shumë shkolla. Ka dhe shumë artistë që nuk e kanë pasur të lidhur me shkollën dhe kanë pasur sukses, por janë disa të tjerë që u dallohet komplet ngjyra, profesionalizmi ose mënyra se si e përçojnë botën e vet të brendshme. Dhe shkolla e artit të ndihmon që ta shprehësh si duhet botën e brendshme.

Bashkëpunimi yt me Arilena Arën të bëri pjesë e “The Top List” për herë të parë, çfarë mund të thuash për këtë këngë?

E kam ndjekur gjithë jetën dhe e kam vlerësuar punën e Arilenës dhe çfarë ka dhënë për muzikën shqiptare dhe ishte një ëndërr për mua. Imagjino çfarë emocioni ishte për mua që kënga ime e parë si artist i ri ishte me të.

Si e mendon rrugëtimin tënd tani në muzikë?

Njerëzit më kanë parë mua. Nuk mund të them që do të bëj kompromis të plotë me tregun, të paktën për momentin sepse është ende herët për të folur. Por dua që të mos humbi Alisi, kjo është e rëndësishmja për mua.

Ke një mesazh që do t’ia transmetosh publikut apo artistëve të rinj?

Mbylli sytë, imagjinoje, shikoje dhe besoje!