I ftuar së fundmi në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel, ka qenë kantautori i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, Shpat Deda. Ai ka treguar më shumë detaje për karrierën e tij artistike, frymëzimin e tij, por duke zbuluar dhe pak sekrete mbi albumin e ardhshëm…
Nga të buron kjo ndjeshmëri me muzikën?
Buron që prej fillimit që kam nisur të merrem me muzikë, sidomos kur kam vendosur të bëhem kantautor. Në momentin që kam vendosur të shpreh diçka që e kam ndier vetë, për mua ka qenë si një ikje nga përditshmëria, kur kam qenë student.
A është e vështirë ta gjesh frymëzimin sot?
Jo, frymëzimin e gjej gjithmonë. Unë kam tre albume, të katërtin e kam përfunduar dhe do e lançoj shumë shpejt një EP live. Është një periudhë 4-5 vjeçare mes albumeve që unë kam lançuar dhe kur mendoj se pse e kam bërë këtë, është sepse duhet të kesh përvoja për të cilat të kesh inspirim pastaj. Kur më vjen koha të shkruaj, ndalem dhe mendoj përvojat që kam kaluar vitet e fundit që më kanë bërë përshtypje.
Cili është një moment që nuk do e harroje kurrë në skenë?
Ka qenë koncerti që kam pasur parvjet në Tiranë, në Kishën Ortodokse. Ai koncert për mua ka qenë shumë i veçantë, jam ndierë shumë mirë me njerëzit që kanë ardhur. Ka qenë koncert shumë intim, e kemi punuar me shumë kujdes dhe nuk do ta harroj kurrë. Kam kënaqësinë e madhe që atë koncert e kemi edhe të xhiruar falë bashkëpunimit me Top Channel. Ai koncert për mua është një xhevahir i çmuar kur shoh mbrapa. Momenti tjetër është i këtij albumi që do të nxjerr tani. Nuk kam bërë diçka të tillë asnjëherë, sepse është i gjithë materiali i inçizuar live. Bendi do të performojë live në skenë. Edhe materiali është shumë interesant, një evoluim i tingullit tim. Kemi dhe mysafirë nga jashtë. Mezi po e pres.
A ka akoma ndonjë sekret që muzika jote nuk e ka shprehur?
Ajo që nuk kam bërë akoma dhe që do të bëj e që ca gjurmë të saj janë në këtë EP, është që të jem pak më ‘light’ dhe pak më jo aq serioz në tekste, por të jem dhe pak ‘funny’. Ajo më intereson të eksploroj pak, se kam qenë serioz një periudhë. Jam në një fazë që kam nisur të hapem pak më shumë ndaj muzikës.