I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio nëpërmjet një lidhje me Skype ka qenë Nonejm, një artist i njohur i rrymës hip hop. Paraqitja e tij e parë ka qenë në fund të vitit 2016 ku që nga ajo kohë për 5 vite rresht mbeti enigmë e pazbuluar e skenës Hip Hop në Kosovë, duke mos e zbuluar identitetin personal. Përse kjo zgjedhje e tij për të mos zbuluar emrin?

Për disa arsye personale në një periudhë nisa që nuk doja që ta dinte asnjë njeri, as rrethi familjar, as shoqëria. Vetëm një shok i ngushtë e ka ditur kur e kam filluar si Nonejm. Ndoshta edhe unë në atë periudhë kur kam filluar, më ka pëlqyer të jem mister. Nuk e di pse. Ndoshta që kam qenë në atë periudhë ashtu.

A ka ndonjë inspirim Nonejm nga jeta e tij reale, edhe pse ka zgjedhur të jetë ‘alter ego’ i tij?

Kryesisht po dhe realisht mendoj që ajo është esenca kryesore e një artisti që shkruan. Është për të gjetur inspirimin sa më real të jetës së tij dhe për ta shfaqur përmes muzikës. Kjo është ajo çfarë i bën këngët të jenë klasike dhe ‘timeless’.

Nonejm vlerësohet si një prej hip-hop artistëve të rinj të skenës Mainstream me aftësitë e jashtëzakonshme të shkrimit në rrymën Hip-Hop. Nonejm në të njëjtën kohë është edhe producent i tre rrymave të muzikës si ajo Pop, R&B, Hip Hop. Një prej thënieve të tij që ai vepron në krijimin e muzikës çdo herë është: “Gjenialiteti rrjedh prej çmendurisë”. Si e përshkruan ai të gjithë këtë rrugë që ka bërë deri më sot?

Hera e parë, fllimet sidomos, kanë qenë super eksperiencë për mua. Se pak më duket të them eksperiencë se normal isha adoleshent, sa e kisha filluar, dhe vazhdoja publikoja këngë. Njerëzit nuk e dinin se kush isha realisht dhe ajo më inspirornte shumë dhe më jepte gjallëri brenda.

Shumica e portaleve e cilësojnë atë si ‘Unikkatil Junior’ dhe me një karrierë artistike shumë të suksesshme, ku cilësojmë këtu renditjen e tri projekteve të tij më të fundit në “The Top List”, si ndihet Nonejm për këto arritje?

Kjo është arritje shumë e madhe për mua, duke qenë se unë jam rritur me muzikën e Unikkatil-it. Mendoj që nuk ka reper që ja di këngët ashtu siç unë ja di. Ndoshta ka, por unë e di që ja di dhe kam qenë fans i madh i muzikës së tij. Kur i kam parë ato tituj që më kanë përshkruar në atë formë, ka qenë tepër ndjenjë e veçantë dhe më jepte emocion e adrenalinë për të shkuar në studio e për të bërë këngë të reja.