I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë Nonejm, artisti mjaft unik dhe i talentuar, i cili së fundmi ka zgjedhur që të risjellë disa projekte të tij, por këtë herë me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Pse kjo zgjedhje dhe si e sheh ai përdorimin e AI sot, për këto e shumë të tjera na flet vetë Nonejm.

Pse erdhi kjo zgjedhje e jotja që të publikoje këto këngë me Inteligjencë Artificiale?

Prej vitesh shumë artistë kanë përdorur autotune në këngët e tyre. Inteligjenca Artificiale është autotune e re. Ka më të mira prej kësaj, sepse po bëhet si asistenti jot personal, si në miksim, si në tekste. Po të jep hapësirë që të jesh krijues. Ke qasje shumë të madhe, shumë lehtë, thellë në detaje, në rryma të ndryshme. Më ka pëlqyer gjithmonë kompozimi, sidomos i muzikës klasike. Por kjo po i jep një qasje shumë të madhe. Por e kërkon atë prekjen njerëzore, ti e monitoron.

Si mund ta përdorësh Inteligjencën Artificiale për të punuar këngë?

Janë aplikacione me pagesë dhe mund të shfrytëzosh kreditet derisa të mbarojnë. Deri në 400 këngë në muaj mund të bësh me AI.

Shumë artistë i tremben Inteligjencës Artificiale, ti si e shikon këtë gjë?

Nuk mundesh t’i ikësh. Asnjë artist në të ardhmen nuk mund t’i iki. Do jetë si asistent ose mjet i joni në çfarëdo që do ekzekutojmë. Unë po nisem prej vetes. Të vjen në ndihmë me kompozimin dhe qasjen në kreativitet.

Disa janë akoma skeptikë. I shoh ndonjëherë që disa artistë, si për shembull Tuna, e pëlqeu postimin tim në Instagram për këngët. Më pëlqeu se kjo tregon që disa po e pranojnë.  Ndoshta dikujt i duhet më shumë kohë për ta pranuar.  Do vijë koha që të bësh këngën me AI dhe po aty në studio të bësh dhe videoklipin. Do e përshpejtojë procesin.

Cili është hapi i radhës, do vazhdosh të bësh këngë me Inteligjencë Artificiale apo do bësh të tuat?

Do i mbaj të dyja. Kjo është çfarë kam eksperimentuar me AI. Kjo nuk do të thotë që nuk do i përdor në të ardhmen. Tani do filloj të lançoj prapë këngë që janë të miat.

Si e zbulove talentin për të bërë rap?

Besoj që njeriu ka talente si fëmijë, unë kam fillluar të shkruajë poezi. Në atë kohë ka filluar hip-hopi të marrë jetë dhe ishte diçka qe më ka intriguar. Isha më i ri, adoleshent, kur intrigohet nga diçka i pëlqen.

Nuk e tregon identitetin tënd personal, pse kjo zgjedhje?

Më ka mbetur pjesë e asaj që ka nisur dhe më pëlqen. Në atë periudhë kisha pak presion për shkak të kohës, isha dhe me studime, kisha dhe probleme në rrethin familjar. Unë kam bërë muzikë edhe para se të isha Nonejm. Familja nuk e dinte që bëja muzikë në fillim. Edhe pse i thashë që do e lë, unë nuk e lashë. Bëra një pauzë 4 vite dhe pastaj rifillova. Kur më kanë parë pastaj më kanë mbështetur.