Kris Breshani, është një tjetër artist i ri, i cili nuk zhgënjen me punën e tij. Ndërkohë që deri tani ka publikuar tre projekte muzikore, “Rratha” titullohet kënga e tij më e re, e cila duket se ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut, duke u bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Për Krisin muzika ka qënë një pasion që kur ai ishte i vogël dhe duket se ende mbetet një pasion për të. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, ai është shprehur se nuk e konsideron muzikën një profesion për aq kohë sa jeton në Shqipëri.
Por si lindi ideja për “Rratha”?
Breshani tregon se ishte duke tymosur atë mbrëmje me një Pinky, kur edhe lindi ideja për të sjellë këtë projekt muzikor. I pyetur se pse zgjodhi këtë titull, këngëtari është përgjigjur: “Zgjodha këtë titull sepse ne sillemi rreth njëri-tjetrit, gjatë këtij boshti, që unë e konceptova jetën të tillë”.
Me muzikë të “Blackout” dhe tekst të vetë Krisit, kjo këngë këtë javë qëndron në vendin e 49-të. I pyetur për këtë sukses të këngës, e cila është futur menjëherë në listë, Breshani thotë: “Ndihem i vlerësuar dhe mbi të gjitha shumë mirë”. Ai ka vijuar më tej duke falenderuar fansat e tij, për të cilët është shprehur se janë shumë të rëndësishëm dhe se kanë qënë e vetmja shtysë që ai të arrijë këtu ku është sot.
“Më kanë qëndruar pranë me komentet e tyre pozitive. Janë frymëzimi im dhe për ta rezervoj gjëra të veçanta, siç është muzika ime”, përfundon Krisi.