Bleta Brovina ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël. Për shkak të dëshirës së madhe për muzikën, Bleta nisi studimet në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, të cilën e përfundoi me sukses. Gjatë studimeve, Bleta vazhdoi të avancohej në muzikë dhe në 2016, ajo u bë pjesë e shtëpisë diskografike “Diez Music”.
Projekti i saj i parë muzikor, i publikuar rreth një viti më parë, titullohet “Sa Najs”. Rreth 3 muaj më parë, Bleta bashkoi fuqitë me një prej reperave më të suksesshëm shqiptar, MC Kresha. Falë këtij projekti muzikor, të titulluar “Ikim”, Bleta nisi të performonte nëpër klube të ndryshme shqiptare.
Rreth dy javë më parë Bleta ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, i cili ka rezultuar tepër i pëlqyer për publikun shqiptar. “Luje” titullohet prurja më e re e këngëtares më të rë në tregun muzikor shqiptar, e cila është bërë pjesë e klasifikimit muzikor “The Top List” gjatë kësaj jave, duke u renditur në vendin e 55-të.
Sa i përket muzikës është kujdesur “Diez Music” ndërsa teksti është bërë nga vetë kengëtarja. Videoklipi mban vulën e “Imagine Films”. Kjo këngë i dedikohet të gjithë atyre njerëzve që kanë dëshirë të kënaqen duke kërcyer nëpër klubet e natës, duke dhuruar një energji pozitive.