ANDRRA, emri i vërtetë i së cilës është Fatime Kosumi, është një këngëtare, tekstshkruese dhe regjisore e lindur në Gjermani ndërsa prindërit e saj janë me origjinë nga Kosova. Nga viti 2001 deri në 2010 ajo u zhvendos në Kosovë, periudhë në të cilën ishte mjaft aktive si në muzikë ashtu edhe në politikë. Momentalisht ajo jeton në Berlin, ku ka themeluar projektin ANDRRA, i cili është projekt muzikor ndërdisiplinor dhe filmik.
Së bashku me Vincent Moon, i cili ka punuar gjithashtu me emra të rëndësishëm të muzikës botërore si Arcade Fire, R.E.M, Beirut dhe shumë të tjerë, ajo ka udhëtuar në rajone të ndryshme të Kosovës në maj 2014, për të zbuluar dhe regjistruar këngët e vjetra folklorike thuajse të harruara. Ata ishin në kërkim të një qasje specifike të muzikës folklorike, të rapsodive të kënduara nga gratë e fshatit. Ky kërkim rezultoi në një dokumentar të shkurtër “KANG E DEFA – Female Rhapsodies of Kosova“. Me mbështetjen e “Initiative Music’ dhe producentit PC Nackt, ata realizuan albumin e parë të Andrrës, të titulluar “Palinë”, i cili konsiston në këngë me tekste të gjetura në arkivat në Kosovë, të krijuara nga gratë e fshatit, ku tema kryesore që trajtohej ishte martesa.
“PALINE” përmban në total 5 këngë me dialekte të ndryshme shqiptare që tregojnë historinë e një vajze 14-vjeçare të quajtur Palinë. Historia e saj përkon me pjesën më të madhe të femrave shqiptare nëpër fshatra disa dekada më parë, të cilat martoheshin në moshë të vogël, fenomen i cili akoma është i përhapur.
Kënga e parë “Kalle Llamen” është një këngë lamtumire që i këndohet nusës së ardhshme një natë para dasmës nga anëtarët e familjes dhe miqtë.
“Kalle Llamen”, na trego diçka më shumë se për cfarë flet kjo këngë?
-“Kalle Llamen” është një këngë nga Zymi i Hasit të Kosovës dhe flet për natën e fundit të një vajze para se të martohej. Eshtë një këngë e Kanagjegjit(zonë në Kosovë). Duke marrë parasysh që deri në gjeneratën e fundit ka qënë shumë e zakonshme që vajza të martohej para se të mbushte 18-vjeç, kjo këngë flet edhe për martesat e të miturave.
Si lindi frymëzimi për këtë projekt muzikor?
– Mua gjithmonë më kanë tërhequr këto këngë të fshatrave. Këngët folklorike të Rapsodve po edhe të grave që këndonin këngë në dasma. Sidomos këngët e kanagjegjeve më pëlqenin sepse ishin shumë domethënëse për mua pasi edhe nëna ime kishte përjetuar që të martohej në moshë të vogël. Kështu që edhe asaj, natën para martesës i janë kënduar ato këngë. Janë këngë shumë të sinqerta sepse nuk e zbukurojnë faktin se çfarë është duke ndodhur me vajzën e re. Janë shumë direkte. Eshtë një lloj historie shumë e drejtpërdrejt.
-Për mua po ashtu i rëndësishëm ishte fakti që shumë nga gratë rurale sidomos në Kosovë dhe Maqedoni (ku akoma ndodh) i kanë martuar të mitura por këto histori nuk tregohen askund, nuk janë pjesë e kulturës “pop”. Mendoni sikur të mos ekzistonte asnjë këngë, asnjë film, asgjë për skllavërimin në Amerikë. Do të ishte absurde. Do të ishte mohim total i së kaluarës dhe në asnjë mënyrë nuk do të ishte i mundshëm emancipimi. Nuk do kishte kuptim që tek ne, nëse aq shumë gra, ende të gjalla, e kanë përjetuar, të mos kishte asgjë në kulturën “pop” për këtë fenomen. Unë jam munduar me këtë projekt që ta bëj sa më të dukshëm atë të padukshme si edhe i kam dhënë zë atyre që nuk kanë. Thuhet se globalisht janë rreth 700 milionë gra.
Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?
-Teksti është tradicional dhe vjen nga Zymi i Hasit. Kurse për muzikën jam kujdesur unë së bashku me PC Nackt që është producent dhe dirigjent në Berlin. Ai është edhe anëtar i grupit APPARAT që njihen si pionera të muzikës elektronike. Ai është gjithashtu dirigjenti i orkestrës së Jose Gonzales. Personi i tretë që është kujdesur së bashku me mua në muzikë është një multiinstrumentalist nga Danimarka, Jonas Müller, që jeton në Berlin.
-Për klipin jam kujdesur së bashku me Alban Nuhiun nga Prishtina. Në fakt ka qënë një angazhim familjar për shkak se kemi xhiruar në fshatin ku jeton familja ime. E gjithë ekipi ka qënë nga familja përveç Albanit që vinte nga Prishtina.
Përflitet se po përgatiteni për albumin tuaj të parë, na trego disa detaje më shumë?
-Albumi përmban 5 këngë dhe do të quhet ‘Palinë’. Albumi përmban 5 tekste të rajoneve të ndryshme shqiptare që kanë për temë dheënien e Palinës. Që në momentin që Palina e kupton që e kanë fejuar dhe deri në momentin që mbërrin tek burri. Gjithë kjo tregohet përmes këtyre 5 këngëve. 5 këngë nga 5 troje shqiptare që i dedikohen Palinës.
Që në javën e parë të publikimit ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe medias, e prisnit këtë reagim?
-Nuk e kam pritur vëmendjen e anës komerciale. Unë mendoj se muzikalisht dhe nga përmbajtja kemi krijuar diçka shumë të veçantë që qëndron përtej vëmendjes komerciale. Mirëpo është shumë e mirëseardhur kjo vëmendje sepse i vjen në ndihmë qëllimit. Ndihmon në përjetimin e atyre që kanë kaluar nënat tona, gratë e fshatrave që nuk kanë patur fëmijëri si dhe për të sensibilizuar të rinjtë dhe t’ju japim fuqi atyre që ende rrezikojnë të përjetojnë këtë traditë.
Mbani kreun e një prej klasifikimeve më të rëndësishme në Shqipëri “Top Awards”, si ndiheni për këtë?
-Jam shumë e lumtur për këtë! Më gëzon shumë fakti që është një Top List ku ka diversitet në zhanre dhe në përmbajtje. Secili zhaner është i rëndësishëm. Aq sa është e rëndësishme të shfrenohemi, është gjithashtu e rëndësishme të vetëndërgjegjësohemi. Disa këngë i shërbejnë njërës e disa tjetrës. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj. Fakti që jam në krye me një këngë të tillë më bën të ndihem mirë jo vetëm personalisht si vetë artistja, po si pjesë e një shoqërie ku ky fenomen është i mundshëm.
Një mesazh për fansat që të kanë votuar…
-I falenderoj shumë për përkrahjen dhe shpresoj të shihemi së shpejti në koncerte të ANDRRA’s, që do të jenë eksperiencë shumë e veçantë.