I ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artisti Shpat Deda. Së fundmi ai ka sjellë albumin e tij më të ri EP në një zhaner të ri siç është Neo Soul. Shpati ka treguar se si lindi ideja për të bërë një album në këtë zhaner muzikor dhe përse zgjodhi këtë formë për të prezantuar projektin e tij…
Kënga qe ke në bashkëpunim me “The Private Jets” dhe që momentalisht ndodhet në “The Top List”, është një lloj homazhi apo tributi ndaj bandës Blla Blla Blla që origjinalisht e ka krijuar? Çfarë rëndësie mban për ty kjo këngë që të të ngjallte dëshiren për të bëre një variant tëndin?
Nuk është vetëm kjo këngë, por është edhe band-i Blla Blla Blla që për mua është një band shumë i bukur që e kam ndjekur prej kohësh, që kur kam qenë i ri. Është një ndër band-et që m’i ka dhënë emocionet e para live, është një band që këndon shqip me një energji të shfrenuar live, me një prezencë shumë të fortë, me një performancë fantastike dhe me këngë shumë të bukura. Gjithmonë më ka lënë përshtypje dhe kjo këngë në veçanti më ka pëlqyer shumë. E kam ditur që kam për të bërë një version, por nuk ma ka marrë mendja që kam për të bërë këtë EP (album). Sepse nuk e kam ditur se si ky zhaner Neo Soul mund t’i përshtatej, kam vendosur ta provoj dhe e kam propozuar sepse siç thashë kemi qenë aty me të gjithë miqtë e mi. Na ka pëlqyer ideja shumë dhe jam i kënaqur me versionin që kemi krijuar. Por sidomos edhe me ‘shijen’ e veçantë që i jep trumpeta sepse kemi një trumpetist shumë të njohur që është Raynald Colom që na ka lumturuar shumë me pjesëmarrjen e tij.
EP-ja jote e fundit “Hajde n’Ballon (Live EP)” vjen në format live dhe në zhanerin neo-soul. Pse zgjodhe pikërisht këtë formë për ta prezantuar këtë projekt?
Sepse është diçka që unë bashkë me shoqërinë time mund ta bëj dhe mendoj se është e rëndësishme që të ruash performancën live, në një botë që po shkon drejt inteligjencës artificiale. Sepse njerëzit janë duke bërë muzikë me një ‘click’, por unë mendoj që kurrë nuk mund të zëvendësohet performanca live. Plus gjatë regjistrimit të këngëve kur e ke edhe band-in aty dhe krijohet muzikë nga të gjithë bashkë, ndodh një magji ekstra. Unë i dëgjoj shumë formatet ku kanë edhe band-et live, më shumë më pëlqen ta dëgjoj live sesa të dëgjoj albumin. Gjithmonë ka një lloj veçantie tjetër, ka një fuqi më të madhe, kështu që jam inspiruar prej asaj dhe kam dashur ta bëj, më ka ardhur si ide dhe më duket se ka funksionuar shumë mirë (qesh).