Fiona Abdullahu është 29 vjeç, aktore dhe muzikante. Prej dy vitesh ajo është duke punuar mbi albumin e saj të parë muzikor, “Tu pa tu bo”, një projekt me pesë këngë, kryesisht në frymën e trip-hop dhe alternative pop. Çdo këngë ka identitetin e saj, por të gjitha lidhen emocionalisht dhe, sipas saj, shpreson që të lidhen edhe vizualisht. Për këtë arsye, ajo ka zgjedhur t’i publikojë një nga një, çdo muaj.

Kënga e parë, “Miza mas veshi”, flet për zërat që u tregojnë njerëzve se si duhet të jetojnë. Zërat e familjes, paraardhësve dhe shoqërisë, të cilët ndonjëherë ngatërrohen me zërin tonë. Në videoklip, kjo “mizë” merr jetë përmes profesoreshës së saj, Agnes Nokshiqi, e cila e shtyn vazhdimisht drejt një rruge të paracaktuar, derisa ato përballen në baltë dhe Fiona arrin të çlirohet prej saj.

Në artin e saj, Fiona dëshiron të thotë diçka. Ajo nuk dëshiron të krijojë vetëm diçka të bukur, por diçka që të bën të ndalosh, të ndjesh dhe të mendosh. Ajo beson se kjo është një nga përgjegjësitë më të bukura të një artisti, t’i japë diçka shoqërisë përtej estetikës. “Tu pa tu bo” është një projekt shumë personal, në të cilin Fiona ka derdhur shpirtin, stilin dhe veten e saj. Është njëkohësisht i frikshëm dhe çlirues. Albumi është thjesht një ftesë për të dëgjuar zërin tënd dhe për të zgjedhur të bëhesh ai që je.