Kjo javë nuk ka ardhur me zhurmë të madhe sa i përket hyrjeve të reja apo renditjeve të këngëve në klasifikim. Ndërkohë që numërohen vetëm dy hyrje të reja në listë, “Top 5” thuajse është i njëjtë me javën e kaluar.
Katër vendet e para nuk kanë pësuar asnjë ndryshim, duke qëndruar në pozicionet që mbanin një javë më parë.
Kreun e listës vazhdon ta mbajë treshja e suksesshme, Tayna, Mc Kresha dhe Lyrical Son me bashkëpunimin e tyre “Pasite”, një këngë që ka 11 javë që është bërë pjesë e klasifikimit.
Në vendin e dytë qëndron Ronela Hajati me projektin e saj “MVP”. Me komente mjaft pozitive në rrjetet sociale, kjo këngë arriti të mbante vendin e parë të “The Top List” për dy javë rresht por ishte “Pasite” kënga që e zhvendosi në vendin e dytë.
“Bye Bye” e Tayna dhe Dafina Zeqirit është një tjetër këngë që publiku shqiptar vazhdon ta dëgjojë dhe votojë për 10 javë rresht, duke e renditur në zonën e nxehtë të klasifikimit, ekzaktësisht në vendin e tretë.
Pavarësisht se u konsiderua si një nga debutimet më të dobëta të Butrint Imerit, “Hajt Hajt”, duket se nuk ka ndërmend të mposhtet pasi për disa javë rresht, ajo renditet në zonën e nxehtë. Javën e kaluar, Butrinti arriti një rekord, duke u bërë artisti i vetëm me 6 këngë në “Top 10”. Për këtë javë “Hajt Hajt” pozicionohet në vendin e 4-t.
E vetmja surprizë në “Top 5” për këtë javë është “Termet”, një bashkëpunim mes Lluni dhe Blleki. Ndërkohë që javën e kaluar ishte një nga hyrjet e reja, këtë javë ky projekt muzikor është ngjitur me 28 pozicione, duke u renditur në vendin e 5-të.