I ftuar në emisionin “Lancio” ka qenë Art Rushiti, një ndër këngëtarët më të rinj që i është shtuar tregut muzikor shqiptar. Përvecse të këndojë, Arti është gjithashtu një tekstshkrues mjaft i mirë.

Art është shkëputur prej gati dy vitesh nga tregu muzikor, por le të kthehemi pas në kohë dhe të rikujtojmë momentin ku nisi gjithçka. Ai u cilësua si i vetmi shqiptar i postuar dy herë në faqen zyrtare të ikonës së muzikës Beyoncé, ku dhe kjo e fundit iu referua atij me fjalët “Ti je në zemrën time”. Si u ndje artisti për këtë eksperiencë kaq unike?

Ka qenë një ndër momentet më speciale që më ka ndodhur në jetë. Nuk mendoj se do të gëzohem më aq shumë sa u gëzova në atë moment, pasi arsyeja përse unë bëj këtë që bëj është se jam inspiruar nga njerëzit si ajo. Shpesh e flas me shoqërinë që Beyoncé në atë kohë që mi ka thënë ato fjalë, ajo ka qenë në kohën më të keqe pasi u tradhëtua dhe ka qenë më e mbyllur. Tani në turneun Renaissance ka qenë më e lehtë, por atëherë nuk i fliste asnjë njeriu. Më ka postuar për herë të parë në Zyrih, pastaj në Paris. Këtë vit nuk munda ta shihja për shkak të angazhimeve të mia dhe kisha turneun tim.

Përveç Beyoncé-s, a ka pasur komunikim me artistë të tjerë ndërkombëtar?

Doja Cat është shumë e mirë. Besoj që njerëzit që më kanë ndjekur më parë e dinë që kemi pasur komunikim në TikTok. Ato video ajo i ka fshirë, por unë kam prova. 

Për më tepër, kënga e tij titulluar “Djall” ka një ngjashmëri me një projekt muzikor të realizuar nga Doja Cat titulluar “Demons”.

Unë thashë që Doja është shumë e mirë dhe vizionet tona janë shumë të përputhura. Unë e kam lançuar në Mars, kurse Doja pas gjashtë ose shtatë muajsh, titulluar “Demons”. Është e njëjta tematikë. Nuk po them që më ka kopjuar, por aty kuptova se kujt tregu i përkas dhe kujt frymë muzikore i përkas edhe pse nuk lançoj gjithçka. Dhe kur kam parë që njerëzit e kanë krahasuar në Instagram e TikTok fillova të bisedoja edhe me ekipin tim që vizioni im është shumë special në krahasim me tregun ku jam.