E ftuar mbrëmjen e djeshme nëpërmjet një lidhje telefonike në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë këngëtarja Sahati. Edhe pse ende e re në moshë, karriera e saj në industrinë muzikore është konsoliduar dhe është mjaft e njohur për publikun. Projekti i saj më i ri titullohet “Again Again” dhe është gjithashtu pjesë e “The Top List” për këtë javë.
Intervista e saj e fundit në Top Albania Radio është zhvilluar në 2021, ndaj e pyetur se si ka ndryshuar rryma e saj muzikore përgjatë këtyre viteve, ajo është përgjigur:
Ka ndryshuar shumë, pasi mendoj që kam ndryshuar shumë edhe si person. Në intervistën e fundit kam qenë 16 vjeç apo 17 vjeç. Kështu që kam qenë në shkollën e mesme dhe më pas kam ndryshuar qytet. Kam ikur në Kanada, kështu që më ka ndryshuar edhe stili, por gjithsesi i kam disa mendime të njëjta me ato të para tri viteve.
Siç edhe e kemi lartpërmendur, projekti i saj më i fundit mban titullin “Again Again”. Si qëndron historia pas kësaj kënge?
Ka qenë pak a shumë si eksperiment. Kam dashur të eksperimentoj me një produksion të këngës që është mix i D&B dhe Reggaeton, i cili përdoret shumë në muzikën shqipe. Nuk e di për në Shqipëri, por në Kosovë po. Gjithashtu, e përzierë edhe me mallin që kam patur për Kosovën dhe gjuhën shqipe. Prandaj kam menduar që t’i bëj mix dhe ka dalë ky si eksperiment. Pastaj kam vazhduar që t’i bëj edhe një videoklip.